Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndodhej sot në një takim e me fermerët dhe drejtuesit e shoqatave të fermerëve të Lushnjës. Ai ishte i shoqëruar nga kandidati për kryebashkiak të PD-së në Lushnjë, Indrit Sefa.
Basha tha se problemet e fermerëve lushnjarë sa vijnë dhe po bëhen më të mëdha. Sipas tij, edhe pse duhej të ishte sektori që duhej të kishte vëmendjen më të madhe, sot fermerët shqiptarë nuk krahasohen as me ato të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati tha se një problem madhor për fermerët e Lushnjës është edhe tregu i qytetit, që sipas tij edhe pse është ndërtuar me financim nga Banka Botërore, kontrollohet njësoj si inceneratorët, si burg i sigurisë së lartë nga banda e Lushnjës. Më tej kryedemokrati ngriti edhe shqetësimin se qeveria po përdor tollonat e naftës për të joshur fermerët dhe qytetarët disa ditë para zgjedhjeve të 6 Marsit.
Basha u bëri thirrje të gjithë fermerëve lushnjarë që ditën e Dielë me votën për Indrit Sefën të çlirojnë veten, produktet dhe konsumatorët lushnjarë, pasi sipas tij gjëja e parë që do të ndodhë është që tregu i Lushnjës do të çlirohet nga bandat.
“Së pari duhet t’iu falënderojë për mikpritjen. E di që është orar pune dhe u jam dyfish mirënjohës që jemi mbledhur sot këtu në Krutje, në një nga zonat me nam në Shqipëri sa i takon pjellorisë së tokës dhe prodhimit cilësor që vjen jo vetëm prej tokës, por edhe prej punës, prej djersës së banorëve të kësaj zone. E them me kënaqësi që me një pjesë prej jush nuk takohemi për herë të parë. Madje kemi krijuar jo thjesht njohje por edhe miqësi. Por e them pa pikë kënaqësie dhe me shumë trishtim në zemër, që kthehemi e rikthehemi tek të njëjtat probleme. Probleme të cilat jo vetëm nuk marrin zgjidhje, por bëhen më të mëdha, më të thella dhe iu shtohen probleme të reja. Dhe natyrisht, sot nuk është një bashkëbisedim si të tjerët, sepse këtë të diel ju si të gjithë banorët e Bashkisë së Lushnjës, keni për të marrë një vendim. Një vendim i cili me të vërtetë nuk zgjidh dot shumicën dërrmuese të problemeve që ju keni, por disa probleme ka në dorë t’i zgjidh. Dhe ky është vendimi për ta mbajtur kështu siç është Bashkinë e Lushnjës, peng të një keqqeverisjeje të dështuar, të korruptuar që mban peng zhvillimin dhe mirëqenien tuaj, apo për ta ndryshuar me një nga përfaqësuesit më të denjë të Lushnjës, një nga familjet me kontributin më të madh në Lushnje dhe një nga njerëzit më të përgatitur që Partia Demokratike i ofron Lushnjës, kandidatin tonë për kryetar Bashkie, zotin Indrit Sefa. Ndaj në këtë kuadër dua të jem fare i shkurtër në tre parashtrime që pastaj të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe ç’është më e rëndësishmja edhe zoti Sefa të ketë mundësinë t’iu përgjigjet për disa nga shqetësimet tuaja. E para, gjendja ku ndodhemi, është e rezultat i 8 viteve braktisje dhe harresë totale të gjysmës së popullsisë që jeton në sektorin rural. Dhe padiskutim, kështu është edhe në këtë të diel, jo vetëm në Lushnje, por edhe në 5 Bashkitë e tjera, më shumë se gjysma e popullsisë, janë të varur nga toka apo nga aktiviteti blektoral. Probleme që i diskutojmë sot këtu janë edhe problemet e fermerëve, të Shkodrës, të Dibrës, të Rrogozhinës, të Vorës, janë pra edhe problemet e fermerëve të Durrësit. Problemi numër një është ashiqare dhe është 100% faji i Edi Ramës. Fermeri i Kosovar edhe në kohë krize, Republika e Kosovës, ka 14 vite e 2 javë shtet, iu rezervon minimumi 80 milionë euro në vit subvencione, mbështetje direkte për fermerin. Republika e Maqedonisë së Veriut, 100 milionë. Po rri tek këto të dyja, se po të shkojmë tek të tjerat, shuma vetëm rritet. Këto para sigurisht vinë nga taksapaguesit. Dhe mendja ta do që duke qenë që gjysma e popullsisë jeton në zonat rurale, është një ndër kontribuuesit më të mëdhenj në buxhetin e shtetit. Domethënë kontributin e jep, taksat i paguan, faturat i paguan, tarifat i paguan dhe sa merr? Me letra merr 1/5-n e asaj që marrin në Kosovë fermerët, me letra! Se në fakt nuk merr asgjë. Dhe kjo është arsyeja se pse produktet cilësore që meritojnë jo vetëm të konsumohen nga qytetarët shqiptarë, nga konsumatori shqiptar, por edhe të eksportohen jashtë, kalben bashkë me shpresat tuaja. Dhe kreditë tuaja kthehen në borxhe nga të cilat nuk ngrëni dot kokën, sepse ndryshe nga çdo aktivitet tjetër, aktiviteti bujqësor nuk pret. Sezoni kap sezonin, ndërkohë që fermerët e Kosovës, fermerët e Maqedonisë së Veriut, edhe në kohë të vështira, siç ishte koha e pandemisë, kokën e mbajnë lartë, sepse çdo pikë djerse e tyre, kthehet fal subvencioneve dhe fal në tërësi mbështetjes që jep shteti në nivel qendror dhe lokal, përkthehet në mirëqenie, iu kthehen në para, të cilat pastaj investojnë për produktet e tyre, investojnë për familjen e tyre, investojnë për të rinjtë dhe të rejat e tyre, për fëmijët e tyre që i çojnë në shkollë, ose i trajnojnë për të vazhduar punën në traditën familjare dhe bujqësore e blegtorale, ose marrin një profesion tjetër, pra jetë normale. Jo këtu ka mbetur gjithçka në vendnumëro. Ju fëmijët çoni në emigracion, të rinjtë shkojnë në emigracion, produktet mbeten këtu. Për t’i shtuar kësaj diçka edhe më të zezë siç është çmimi i naftës. Para se të fillonte lufta në Ukrainë, kishte filluar një luftë e heshtur prej vitesh, prej 2014-ës që është lufta e naftës më të shtrenjtë në Evropë, për popullin më të varfër të Evropës. Dhe të parët që e ndjejnë këtë janë fermerët. Jo thjesht për të mbushur serbatorët e traktorëve, e të zetorëve e të makinave, apo kamionçinave për ta nisur produktin drejt tregut, po sepse dihet që nafta përkthehet në koston e çdo produkti që ju bleni. Edhe të imputeve, ku problem është si cilësia ashtu edhe çmimi të plehrave kimike, pesticideve, farave, fidanëve, gjithçka. Konkurrenca e pandershme, me një doganë tërësisht të trullosur, të korruptuar e cila e ngre traun për produktet e huaja të subvencionuara që vijnë këtu dhe serbes konkurrojnë dhe kalbin produktin e fermerit shqiptar. Megjithëse ai atje e ka të subvencionuar dhe ju s’keni parë kokërr leku subvencion, në tërësi hiq një grusht njerëzisht të privilegjuar që rrezik as nuk e justifikojnë subvencionin, se as nuk kanë këtë për të cilën e marrin subvencionin, nuk kanë atë numër lopësh apo delesh, nuk e punojnë atë tokë për të cilën e marrin subvencionin, e marrin në mënyrë klienteliste. Dhe e fundit aksesi në treg. Se ne nuk jemi në mesjetë pavarësisht se në këto 8 vite ky e ka katandisur Shqipërinë si mesjetë. Aksesi në treg do të thotë që produktet të dalin në treg. Kudo në Shqipëri ka vështirësi të tmerrshme për këtë, prisnin polici e inspektoriate mbas kthesës me bllokun e gjobave në dorë. Gjobë pas gjobe. Sa të arrish ti në treg, në qoftë se ka treg, je mbytur me gjoba që kanë vlerë më të lartë sesa produkti që ti do të shesësh.
Dhe këtu pastaj qershia mbi tortën e korrupsionit të Edi Ramës, është tregu i Lushnjës. Ndërtuar me financim të Bankës Botërore, për t’i dhënë akses fermerëve të Lushnjës, për t’i dhënë mundësi qytetarëve të Lushnjës të shijojnë produktet, për t’i dhënë mundësi edhe të tjerëve të vijnë sepse këto janë zona me nam për produkte të veçanta, i cili kontrollohet njësoj si inceneratorët, si burg i sigurisë së lartë nga banda e Lushnjës. Banda e Lushnjës ju merr si të burgosur brenda, edhe ju, edhe ata që vijnë të blejnë. Tarifat ngjanë me gjoba dhe ju futeni me kokën poshtë sikur po futeni në burg. E dini me kokën poshtë dhe xhepat bosh. Sepse me tarifat, me trajtimin që u bëhet ai realisht e meriton të quhet kamp përqendrimi, jo treg.
Këtu dua të ndalem sepse këtu ka diçka në dorë kryetari i bashkisë që do të zgjidhni ditën e diel. Ose do të jetë një skllav i bandës së Lushnjës siç është dhe siç e ka provuar të jetë Eriselda e paraardhësi dhe paraardhësit e saj ose do të jetë dikush që do sjelli ndryshimin e parë aq sa ka në dorë kryetari i bashkisë që së paku tregun e Lushnjës të ndërtuar me financim të Bankës Botërore t’ia kthejë lushnjarëve, t’ia kthejë fermerëve lushnjarë dhe ky është angazhimi i parë dhe kryesor i Indrit Sefës në programin e tij sa i takon fermerëve.
Natyrisht që asgjë s’do zbresë nga qielli dhe për gjithçka që ndodh është e lehtë të fajësojmë të tjerët e të themi kështu e ka bërë Zoti dhe të mos marrin përgjegjësi. Zoti punën e vet, njerëzit punën e tyre. Sot kam një thirrje për të gjithë fermerët lushnjarë: Ditën e diel me votën për Indrit Sefën çlironi veten tuaj, produktet tuaja dhe konsumatorët lushnjarë dhe të gjithë sepse gjëja e parë që do të ndodhë është që tregu i Lushnjës do të çlirohet nga banda e Lushnjës.
Tarifat që janë gjoba do të hiqen dhe tregu i lirë do të mundësojë të paktën një lehtësi në raport me aktivitetin tuaj ndaj këtë të diel e keni vetë në dorë.
Të hënë, të martë, të mërkurë o të rrini kokëlartë përpara fëmijëve tuaj dhe të thoni të paktën një hall e zgjidhëm me votën tonë, zgjodhëm Indrit Sefën që ka vite që lufton kundër padrejtësive në gjykata dhe aktin e parë do të ketë çlirimin e Lushnjës të marrë peng nga banda. Sepse në fund të fundit ditën e diel ju e keni mundësinë ta hidhni këtë hap, e keni mundësinë ta hidhni këtë votë.
E fundit, një nga adetet e kësaj qeverie që është e korruptuar, të këtij kryeministri që është i korruptuar dhe që mban peng zhvillimin e Lushnjës dhe të gjithë Shqipërisë është që sa herë afrohen zgjedhjet paratë që u ka vjedhur u hedh ndonjë kockë, tollona nafte me 25 shkurt.
Tollonat e naftës janë vetëm një grimcë, një thërrime e parave që iu vjedh shqiptarëve e parave që ju vjedh ju, e dëmit ekonomik që i shkakton bujqësisë në tërësi, fermerëve në veçanti gjithsecilit prej jush, pavarësisht se keni 3 dynym tokë apo sipërfaqe të tëra serash janë paratë që u kanë vjedhur ju. Dhe një thërrime të këtyre parave jua hedh. Ky është trajtimi çnjerëzor që i bën kjo qeveri njerëzve. Për t’ju mbajtur të lidhur, ju hedh një pjesë të parave që u ka vjedhur që pastaj të vazhdojë t’ju vjedhë. Këtë ka bërë edhe me 25 prill, këtë ka bërë edhe me 25 shkurt me shpresën se me 6 mars do t’i gënjejë prapë njerëzit.
Besoj se është e tepërt që t’ju bëj thirrje sepse njerëzit kanë filluar ta përdorin gjykimin e tyre, kanë filluar t’ shohin të vërtetat e falë betejave tona siç i panë në rastin e inceneratorëve. Se kemi 6 vjet që i denoncojmë atë aferë. Në fillim censurë, pastaj përgënjeshtrime, pastaj gjyqe për shpifje.
E shikoni tani se si Komisioni Parlamentar vërtetoi gjithçka që kemi thënë ne?
430 milionë euro të vjedhura. Imagjinoni, mund të ishin mbi 100 milionë euro subvencione për katër vite me radhë. Në vend që të ndodhë kjo, kanë përfituar 3 ministra, 3 kryetarë bashkish, 3 kriminelë dhe sigurisht i pari i punës. Se i pari i punës nuk e ditka që janë vjedhur 430 milionë euro, kanë ngjyer gishtin thotë. Se për të 430 milionë euro janë të ngjyesh gishtin.
Pra, çmimi i naftës dhe tollonat e naftës janë dy anë të të njëjtës medalje. Çmimin e naftës e kanë ngritur duke ngritur taksat dhe tollonat e naftës nuk janë gjë tjetër vetëm kocka që hidhet që t’ju marrë votën dhe pastaj t’ju vjedhë më shumë që këtë të diel do ta marri përgjigjen nga të gjithë fermerët e Lushnjës.
Iu drejtohem të fermerëve të Lushnjës pa dallime politike dhe e di që ka edhe socialistë që kanë qarë hallin me të njëjtin guxim dhe ky është një moment për t’ju thënë bravo atyre që kanë pasur guximin t’i thonë problemet e Lushnjës ashtu siç janë dhe për të bashkuar votat ne datën 6 mars kundër një qeverie që vetëm ju ka gënjyer dhe vetëm ju ka vjedhur, kundër një personi që ka 15 vite në bashki dhe s’ka ngritur njëherë zërin apo gishtin për t’ju ndihmuar, por ka qenë pjesë e aferave për t’ju zhytur dhe për birin tuaj që hapin e parë që do të ndërmarrë është të çlirojë tregun e Lushnjës dhe t’ua kthejë fermerëve.” – tha Basha.
Me moton “të vëmë bashkinë në punë”, kandidati i PD-së për Bashkinë Lushnje, Indrit Sefa, garantoi se që në javën e parë të mandatit do të çliroj tregun e Lushnjës për t’i krijuar çdo fermeri apo banori të zonës të tregtojë atje pa asnjë pengesë.
Ai gjithashtu tha se një nga fokuset kryesore të tij si pjesë e planit tonë të emergjencës, do të jetë infrastruktura bujqësore, për t’u mundësuar fermerëve aksesin nëpër parcela.
Pas takimeve që ka zhvilluar në zonën e Lushnjës dhe evidentimin e problematikave, Sefa tha se do të bëjë ç’është e mundur që të rinjtë lushnjarë mos ikin në emigrim, pasi është një plagë madhore dhe në këtë qytet. Kandidati i PD-së pati dhe një premtim për qytetarët e Lushnjës, ku tha se do ta bëhet e realizueshme brenda vitit të parë të mandatit, transporti i qytetarëve ku për fat të keq Bashkia e Lushnjës nuk ka një shërbim transporti urban.
“Faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen. Falënderoj kryetarin për fjalën e tij dhe do të mbështes patjetër atë çka tha dhe kryetari, që në javën e parë të mandatit si kryetar bashkie do ja kthejmë atë çka ju takon fermerëve do ja kthejmë fermerëve, me të gjitha masat e nevojshme, çfarë të ketë në dorë bashkia do ja kthejmë fermerëve sepse ajo është për fermerët dhe është në shërbim të tyre. Nuk mund të burgosen lushnjarët, nuk mund të burgosen fermerët. Secili që ka dëshirë të shkojë të tregtojë atje do jetë i lirë për të tregtuar dhe do të tregtojë sipas parametrave dhe dinjitetit njerëzor. Kushdo që burgos fermerët do të marri përgjigjen e merituar. Së dyti që është dhe më ë rëndësishmja që është dhe pjesë e planit tonë të emergjencës në bashkinë Lushnje. Ne dot marrim masat imediate dhe të menjëhershme për infrastrukturën bujqësore. Edhe rruga që kaluam sot është pjesë e infrastrukturës bujqësore dhe është për të ardhur keq. Nuk kalon dot fermeri për të shkuar te parcelat e tij. A ka mundësi bashkia t’i realizojë të gjitha?! Patjetër që ka mundësi. Bashkia ka mjetet, ka burimet njerëzore dhe ka detyrë primare që fermerëve ti mundësojë aksesin nëpër parcela, sepse në fund të ditës secili prej jush I paguan taksat, secili prej jush në mënyrë është kur nuk ka mundësi detyrohet të paguajë ato taksat e tokës. Ne do të japim mundësinë që me gjithë ato taksat tona ato rrugët e parcelave ti bëjmë të aksesueshme dhe jo për mjetet bujqësore, por për mjetet motorike që të vijnë t’jua marrin mallin aty ku është parcela, të vijnë t’jua marrin mallin aty ku ju e punoni tokën. Ti pastrojmë ato kanalet kullues, ti pastrojmë kanalet vaditës. Është detyrë e bashkisë, është detyrë e kryetarit të bashkisë. Nuk ka për të ekzistuar një funksionarë, një nënpunës I bashkisë Lushnjë I cili mos të ushtrojë detyrën e tij, prandaj motoja jonë gjatë gjithë kësaj fushatë është të vëmë bashkinë në punë. Çdokush që ka dëshirë që të kontribuojë, ai funksionari publik të jetë pranë njerëzve dhe t’ju shërbejë njerëzve, do vazhdojë dhe do i kontribuojë komunitetit. Kush nuk do dhe kush përton të vijë në punë dhe të marri atë rrogën dhe mos ti përgjigjet qytetarëve e ka vendin tek shtëpia dhe nuk e ka vendin në bashkinë Lushnje. Ju kam premtuar gjatë gjithë kësaj fushate, që kryetari i bashkisë do jetë aty për ju, do jetë prezent për ju, do jetë I pari mes jush. Nuk keni për të gjetur diku një kryetar bashkie që fshihet pas tavolinës dhe poshtë tavolinës kur merr në telefon kryeministri, kushdo qoftë kryeministri, edhe ju kryeministri i ardhshëm kur të jeni mua do të më keni përballë këtyre fermerëve, do keni fytyrën time përballë për të gjitha shqetësimet e këtyre, sepse kryetari i bashkisë është i të gjithë qytetarëve, është i të gjithë fermerëve dhe do të jetë i të gjithëve. Çfarëdo lloj shqetësimi të keni, çfarëdolloj problematike të kenë këta fermerë janë dhe problematikat e mia, janë dhe shqetësimet e mia, prandaj është detyra e kryetarit të bashkisë siç kërkon ti drejtojë qytetarët lushnjarë, siç kërkon ti drejtojë zgjedhësit, ka për detyrë t’i përfaqësojë dhe ata kur ata kanë shqetësime, kur ata kanë halle dhe unë do jem aty gjithmonë për ju. Me të vërtetë kryetari i bashkisë nuk ka në dorë politikat e mëdha qeverisëse, por do jem unë që do jem zëri juaj, sepse ju keni nevojë për një zë për t’ju përfaqësuar dhe për të ngritur shqetësimet tuaja. Nuk ka për të ekzistuar ndokush në bashkinë Lushnje që ti bëjë presion fermerëve, nuk ka për të ekzistuar ndokush që t’i bëjë presion me anë të subvencioneve. Çfarë të ketë në dorë bashkia Lushnje për të gjithë fermerët do të trajtohen në mënyrë me dinjitet dhe në mënyrë të barabartë sepse në fund të ditës çdokush e punon tokën me dinjitet dhe ju e punoni vetë tokën. Ju jeni simboli i qytetarëve lushnjarë sepse me sakrifica të panumërta arrini të ushqeni familjen tuaj dhe në kushte jo normale dhe në kushte të vështirësive të mëdhaja. Siç e tha dhe kryetari, çmimi I plehrave kimikë është bërë shumë i lartë dhe i papërballueshëm për ju . Ne do bëjmë çfarë është e mundur që t’ju përfaqësojmë juve në kërkesat e juaja. Nuk ekziston që një kryetar bashkie të rrijë I mbyllur në zyrë dhe fermerët të rrinë në protestë duke hedhur në kanal produktet e tyre, duke derdhur qumështin rrugës. Është detyrë e kryetarit të bashkisë të dilte I pari ndër ta, nuk mund policia ti trajtojë njerëzit, ti trajtojë fermerët në atë forme mizerabël siç I trajtoi në atë protestën atje. Në qoftë se do ishte për ti arrestuar do ishte kryetari I bashkisë sepse ai është përfaqësuesi juaj dhe ai duhet të jetë aty për ju gjithmonë. Ndaj në datën gjashtë mars unë ju kërkoj secilit prej jush, i kërkoj është fermerëve që na dëgjojnë sot që të bëheni bashkë për familjet tuaja , të bëheni bashkë për fëmijët tuaj, të bëheni bashkë për të gjithë hallet që ju bashkojnë me njëri tjetrin edhe votoni numrin 2, të votoni Indrit Sefën, votoni Partinë Demokratike. Ne do bëjmë ç’është e mundur që të rinjtë tuaj të mos ikin në emigrim, do bëjmë ç’është e mundur që ju ti keni pranë fëmijët tuaj.
Ishte e dhimbshme kryetar, në një takim që pata në Gurës, një zotëri tha djali më iku në Itali tha se nuk kishte mundësi që të qëndronte, pasi ne ishim mirë, e punonim tokën tonë, nxirrnim ato dy të ardhura, mund të jetonim mirë në fshatin tonë tha. Por pasi punonte tokën dhe dilte në kafen e fshatit, nuk kishte asnjë fshatar. Detyrohesh që të rrinte në kafe me një 60-vjeçar, me 50-vjeçar dhe normalisht nuk kishte asnjë jetë sociale. U detyruar të ikte tha dhe nuk e pengova dot. Me keqardhje të madhe them – tha – që sot nuk kam asnjë prej fëmijëve nuk i kam në shtëpi. Ka fshatra të tëra që janë pa të rinj, është e dhimbshme! Është e dhimbshme kur ne vemi bëjmë takime dhe nuk gjejmë të rinj nëpër fshatra. Është forca më vitale, janë ato njerëz që duhet ta punojnë tokën, nuk ndodhen këtu. Përveç politikave që kemi, që do të ndërmarrim në ndihmës të bujqësisë, do të marrim dhe politika sociale që ata të rinj të kenë mundësi të bëjnë një jetë sociale, pasi të punojnë tokën të bëjnë një jetë sociale ku në bashkëpunim me moshatarët e tyre të dalin e të kenë mundësi aksesi në shërbimet që ofron bashkia. Kjo është detyre e kryetarit të Bashkisë. Dhe ne do ta bëjmë të mundur, do ta bëjmë të realizueshme brenda vitit të parë të mandatit. Edhe një premtim tjetër që kam për ju, se nuk dua t’iu marrë shumë kohë, ka të bëjë me transportin e qytetarëve. Bashkia e Lushnjës fatkeqësisht nuk ka një shërbim transporti urban. Do ta realizojmë me të gjitha përpjekjet, do të bëjmë ç’është e mundur për të bërë transportin urban që të lidhi gjithë Bashkinë Lushnje. Shtrirja e Bashkisë Lushnje është shumë e madhe dhe për njerëzit është e papërballueshme kostoja e transportit privat të cilin e paguajnë për ardhur deri në Lushnje. Ne do të bëjmë ç ‘është e mundur. Bashkia është enti rregullator dhe do të marrim të gjitha masat, duke caktuar frekuencën dhe çmimin e biletës. Dhe ne do u japim mundësi atyre të rinjve që ehe kafen mos ta pinë atje te lokali i lagjes, por të vijnë të bëjnë një aktivitet social kulturor në qytet, të ikin në një njësi administrative tjetër të bashkërendojnë aktivitet me moshatarët e tyre dhe në këtë mënyrë i bëhet edhe më e lehtë jetesa. Për ne është detyrimi i parë që të pengojmë migrimin masiv, emigrimin masiv të të rinjve nga zonat e Lushnjës. Ne na ka bekuar perëndia, na ka dhënë gjithë këtë begati, na ka dhënë këto toka të mrekullueshme dhe fatkeqësisht nuk kemi mundësi t’i punojmë. Ne duhet të marrim të gjitha masat që njerëzit e punës, që njerëzit e punës, t’i lëmë në punë. Ky është edhe premtimi im kryesor, kjo është edhe dëshira ime dhe unë bashkë me ekipin tim do ta bëjmë të mundur dhe të realizueshëm brenda vitit të parë të mandatit.”– u shpreh Indrit Sefa.
Ndërkohë fermerët e Lushnjës ngritën shqetësimet e tyre, ku parësore ishte mungesa e vëmendjes së qeverisë dhe zhgënjimi që kanë marrë nga instancat shtetërore, rritja e naftës që është bërë e papërballueshme dhe çmimet e larta të pesticideve.
“Para 3 vitesh, kur neve na rra breshëri na mori të gjitha vreshtat, se unë merrem me vreshta, na premtuan që do japin 100 mijë lekë për dynym. Jo 100 mijë lekësh nuk morëm por një litër naftë nuk morëm, po dhe 1 litër naftë nuk morëm. Në radhë të dytë, kur ra për herën e dytë, breshëri na mori radhë me kolona betoni, me të gjitha ato investime mbi 50 deri në 60 milionë lekë dëm. I morëm kolonat tek një person këtu, ai lekët i donte në dorë, nuk i donte me të shënuar. Do u mbaj nja 2-3 muaj deri sa të shisni rrushin që t’i jepnim paratë. Na prunë dhe kryeplakun dhe nja 2-3 veta të komunës, që na thanë do t’u japim lekë prapë, mos u bëni merak. Që të dyja herët që ra breshëri, asnjë lekë nuk morëm. Dhe ne fermerët kështu jemi zhgënjyer gjithmonë. Jo hera e parë, por gjithmonë kemi pasur këtë zhgënjim nga qeveria. Dhe kjo qeveri na çoi në këtë gjendje që vajti dhe nafta 2 mijë lekë. Sot ishte 210.” – u shpreh një nga fermerët.
Disa nga fermerët e konsiderojnë si më të mirë programin e Indrit Sefës për Bashkinë e Lushnjës, duke i dhënë mbështetje në zgjedhjet e ditës së diel.
“Ky pushtet nuk ka dhënë për fermerin asnjë lloj mbështetje. Këtu e gjithë bujqësia shqiptare është e falimentuar, njerëzit gënjejnë veten, hyjnë në borxhe nëpër banka, nëpër institucione që po u marrin jetën, po ja u nxinë për mua këto 8 vite, ka rezultuar një gënjeshtër e madhe. Sikurse gënjeshtra po vazhdon edhe sot. Ne ndodhemi në këtë situatë që ndodhemi sot, beso gënjeshtrat dhe mashtrimet një ministër ikën një vjen. Ne si grupim fermerësh, duke dëgjuar programet e të gjithë kandidatëve të Bashkisë së Lushnjës, na është dukur Indriti si më i përshtatshmi që mund të përfaqësojë interesat e fermerëve të rrethit të Lushnjës.” – tha fermeri Altin Basha.