Vendosni fjalën kyçe....

I kapen 14 mijë euro të padeklaruara, arrestohet marokeni. Pranga të riut në Durrës, i gjenden në makinë 7 emigratë


Një person është arrestuar në Durrës pasi është kapur duke transportyar 7 emigrantë të paligjshëm drejt Shkodrës. Gjatë operacionit të koduar ‘Emigranti’ është kapur edhe një person  tjetër i shpallur në kërkim nga policia.

22-vjeçari me iniciale R.M. banues në Tiranë është ndaluar në rrugën Plepa-Durrës pasi gjatë kontrollit në mjetin e tij janë kapur 7 emigrantë nga Jemeni e Palestina.

Po kështu gjatë operacionit është kapur 28-vjeçari me iniciale F.Q., i cili ishte shpallur në kërkim për transport të paligjshëm emigrantësh.

Një 47-vjeçar me iniciale MB., me origjinë nga Maroku e banues në Belgjikë është kapur në kufi pasi i janë kapur gjatë kontrollit një sasi prej rreth 14 mijë eurosh të padeklaruara.

Njoftimi

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Emigranti”.  Transportonte 7 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të kufirit në mënyrë të paligjshme, kundrejt fitimit, kapet dhe vihet në pranga 22-vjeçari. Po gjatë operacionit u kap dhe një person i shpallur në kërkim për llogari të DVP Korçë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas po transportonte emigrantë të paligjshëm drejt Shkodrës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit për në Mal të Zi, me destinacion një nga vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Emigranti”. Si rezultat i këtij operacioni, në aksin rrugor Plepa-Durrës, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit R. M., 22 vjeç, banues në Tiranë. Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, ky shtetas ka braktisur mjetin dhe ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur nga shërbimet e Policisë.

Gjatë kontrollit në automjet u konstatuan 7 klandestinë nga Jemeni dhe Palestina, të cilët 22-vjeçari po i transportonte drejt Shkodrës, kundrejt fitimit. Po gjatë operacionit, nga shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e  Trafiqeve të Paligjshme u kap shtetasi F. Q., 28 vjeç, person i shpallur në kërkim nga DVP Korçë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”. Ky shtetas iu dorëzua shërbimeve të Policisë të DVP Korçë, për veprime të mëtejshme.”

Njoftimi

“Bazuar në analizën e riskut dhe kontrolleve me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, shtetasin M. B., 47 vjeç, lindur në Marok dhe banues në Belgjikë.Gjatë kontrollit të ushtruar iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 13915 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar” njofton policia. Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, u procedua penalisht shtetasi  M. B., 47 vjeç, banues në Belgjikë, për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”