Vendosni fjalën kyçe....

Rama për Ukrainën: Kemi ndihmuar ndër të parët, por jo për t’u dukur këtu e për të luftuar me gratanongratat e Tiranës


Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar në Ukrainë pas ndërhyrjes ushtarake të forcave ruse.

Ai iu është kundërpërgjigjur zërave kritikë se qeveria shqiptare nuk ka dhënë asnjë ndihmë për Ukrainën, duke thënë se Tirana ka qenë ndër të parat që ka ndihmuar.

 “Disa politikanë e analistë mbrojnë Ukrainën për të sulmuar qeverinë, që sipas tyre nuk ka dhënë asnjë ndihmë konkrete! Jo vetëm e kemi dhënë, po e kemi dhënë ndër të parët. Por nuk e kemi dhënë për t’u dukur këtu në Tiranë dhe aq më pak për të luftuar me gratanongratat e Tiranës!”– shkruan Rama.

Ai për më tepër shton se pavarësisht faktit se Shqipëria është një vend i vogël, është dëgjuar me respekt për këtë çështje në OKB dhe në NATO.

 “Jam shumë krenar që pavarësisht se vend i vogël mes të mëdhenjve të botës kemi ditur të dëgjohemi me respekt në mbështetje të Ukrainës në OKB,kemi ditur të shikohemi me respekt në NATO, kemi ditur të trajtohemi me respekt nga SHBA dhe i jemi gjendur me shumë respekt Ukrainës.”- shton në një tjetër postim Rama.