Sipas raporteve të fundit në mediet britanike, pronari i “Chelsea” Roman Abramovich po mendon të shesë klubin.
Gazeta Express.co.uk shkruan se Abramovich do të marrë oferta për “Chelsea”-n deri në fund të kësaj jave, me të paktën tre palë që janë të interesuara për blerjen e bluve. Blerësit e mundshëm besojnë se për herë të parë miliarderi rus është i përgatitur të shesë.
Roman Abramovich përballet me kërcënime për t’iu vendosur sanksioneve pas pushtimit rus të Ukrainës javën e kaluar.
55-vjeçari tashmë ka tentuar t’ia dorëzojë drejtimin e përditshëm të “Chelsea”-t fondacionit bamirës të klubit.
Abramovich e bëri këtë në përpjekje për të vendosur distancën mes tij dhe klubit, por administratorët e besuar ende nuk e kanë pranuar propozimin e tij, me disa që mendojnë të largohen.
Telegraf nga ana tjetër pretendon se palët e interesuara për të blerë klubin e Londrës perëndimore besojnë se ky ishte hapi i parë nga Abramovich për të sugjeruar se ai do të ishte i hapur për shitje.
Ofertat do t’i bëhen Abramovich këtë javë, por kjo mund të ndryshojë nëse ai merr sanksione. “Chelsea” gjithmonë ka thënë se klubi nuk është në shitje, por Telegraf thotë se Abramovich nuk mund të lihet pa alternativë tjetër.
Ai më parë ka refuzuar ofertat me vlerë 2.2 miliardë paund. Raporti pretendon se “Chelsea” i ka 1.51 miliardë paund borxh pronarit të tyre.
Trajneri Thomas Tuchel, u pyet për situatën në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes së të martës për Abramovich. Por gjermani nuk donte të hynte në shumë detaje.
“Më duhet të them se është paksa e tepërt që unë të përgjigjem.”– tha Tuchel. “Nuk jam në dijeni të detajeve dhe nuk jam në dijeni të gjithë situatës.”