Statusi i Krimesë si pjesë e Rusisë është i panegociueshëm, kështu ka deklaruar sot ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov në një intervistë për “Al-Jazeera”.
“Krimeja është pjesë e Rusisë dhe është e panegociueshme.”- theksoi ai, citon TASS.
Pas grushtit të shtetit të shkurtit të vitit 2014 në Ukrainë, autoritetet e Krimesë mbajtën një referendum për ribashkimin me Rusinë. Një referendum i konsideruar antiligjor nga Kievi dhe Perëndimi. Rusia pretendon se shumica e votuesve e mbështetën idenë (96.7% në Krime dhe 95.6% në qytetin e Sevastopolit), me pjesëmarrjen në 80%.
Në mars të vitit 2014, presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi traktatin për ribashkimin e Krimesë me Rusinë, i cili u ratifikua nga Asambleja Federale më 21 mars 2014. Megjithatë, Kievi refuzoi të njohë bashkimin e Krimesë me Rusinë.
Deklarata e Lavrovit vjen në një kohë kur delegacionet ukrainase dhe ruse po bëhen gati për të nisur raundin e dytë të bisedimeve mbrëmjen e sotme.