Asambleja e Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur shtyrjen e zgjedhjeve për president të FSHF-së e Komitetit Ekzekutiv për në datën 15 mars.
Asambleja është mbledhur pavarësisht vendimi të gjykatës për mosmbajtjen e zgjedhjeve të lajmëruara për datën e sotme, 2 mars deri në përfundim të shqyrtimit me themel të çështjes në gjykatë lidhur me paditë ndaj FSHF-së në gjykatë nga ana e kryebashkiakut të Tiranë Veliaj.
Gjatë fjalës së tij para samblesë, presidenti i FSHF-së Duka ka deklaruar se është koha të ecet para e të lihen pas inatet e sulmet.
“Duke kërkuar me qetësi atë që ka ndodhur gjatë këtyre ditëve, kam gjetur gjërat që duhet të zgjidhim dhe ajo është zhvillimi i futbollit. Të lëmë mënjanë sulmet, mllefin dhe inatin e mbartur. Jam i qartë në atë që them, duhet të shohim para, pa u ndikuar nga tensionet artificiale të situatës së krijuar. Kaluam monopate, kreshta e kodrina por ato na kanë kalitur. Duhet të mbyllim të kaluarën, siç i takon shtëpisë tonë ku gjithçka zgjidhet me dashuri e vëmendje, jo me gjyqe e penalitete që i përkasin një periudhe të të kaluarës.” – tha ndër të tjera Armando Duka.