Turqia ka dorëzuar dronë shtesë sulmues në Kiev, kështu ka deklaruar të paktën ministri ukrainas i Mbrojtjes Alexey Reznikov të mërkurën në një postim në Facebook. Qeveria turke nuk e komentoi menjëherë deklaratën.
“Dronë të rinj tashmë janë dorëzuar dhe dislokuar për luftim.”- tha ministri, duke iu referuar dronëve “Baykar Bayraktar TB2” të prodhimit turk dhe sistemeve të armëve kundërajrore dhe antitank portative të prodhuara nga SHBA. Ai tha se ofrimi i ndihmës së huaj ushtarake për Kievin ishte duke u rritur.
“Evropa po bëhet prapavija jonë dhe po ofron atë që na nevojitet në mënyrë kritike për mbrojtjen. Ne jemi në ballë të botës së lirë.”– shtoi Reznikov, citon RT.
Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe Britania e Madhe dhe SHBA-ja, kanë premtuar dërgesa të ndihmës ushtarake në Ukrainë në ditët e fundit, me BE-në që ka njoftuar një paketë prej 450 milionë eurosh.
Postimi i Reznikov ishte kryesisht i përkushtuar për të ngritur moralin e ukrainasve dhe për të denoncuar Rusinë për sulmin kundër vendit të tij. Ai e quajti fqinjin e Ukrainës një “shtet terrorist” dhe pretendoi se, gjatë një telefonate me Lloyd Austin, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së kishte vlerësuar shpirtin luftarak dhe profesionalizmin e trupave ukrainase.