Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka prezantuar të enjten sanksione të reja kundër oligarkëve rusë dhe personave tjerë të rrethit të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin, si përgjigje ndaj sulmit rus në Ukrainë.
Në mesin e të shënjestruarve janë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov dhe Alisher Burhanovich Usmanov, një nga individët më të pasur në Rusi dhe aleat i Putinit,
Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se do të vendosë ndalesë në viza për 19 oligarkë rusë dhe dhjetëra anëtarë të familjeve të tyre.
“Qëllimi është që të maksimizohet ndikimi mbi Putinin dhe Rusinë dhe të minimizohet dëmi ndaj nesh dhe aleatëve tanë në gjithë botën”, ka thënë Biden, në fillim të takimit që ka zhvilluar me kabinetin e tij dhe nënpresidenten, Kamala Harris.