Gjykata e Lartë ka publikuar analizën vjetore të punës në këtë nivel të pushtetit të drejtësisë.
Ajo që theksohet në raport është përsëri numri i madh i çështjeve të grumbulluara duke krijuar një problem dhe sfidë për veprimtarinë e Gjykatës së Lartë.
Arsyet për këtë stok të madh çështjes që presin të gjykohen sipas raportit kanë të bëjnë me superstrukturore, infrastrukturën, procedurat gjyqësore apo moskuptim si duhet të juridiksionit rishikues të Gjykatës së Lartë.
Një arsye tjetër që theksohet në raport është edhe mungesa e një sistemi digjital modern.
“Numri i madh i çështjeve të grumbulluar në vite në Gjykatën e Lartë mbetet një problem shqetësues dhe një sfidë për veprimtarinë e saj, gjë që ka ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e procesit të administrimit të shpejtë dhe efektiv të drejtësisë. Arsyet që kanë çuar në krijimin e një numri të lartë të çështjeve të prapambetura në Gjykatë (backlogut) janë të ndryshme. Ato lidhen si me çështje superstrukturore, ashtu edhe infrastrukturore. Procedurat gjyqësore deri diku të ngurta, moskuptimi si duhet i juridiksionit rishikues të Gjykatës së Lartë, mbajtja e qëndrimeve të ndryshme për çështje të njëllojta, mosplotësimi në kohë i vendeve vakante për gjyqtarë, aksesi i pakufizuar në paraqitjen e rekurseve, mungesa e një sistemi efektiv të filtrimit të çështjeve gjyqësore, apo krijimit të mekanizmave ligjorë efektivë për frenimin e fluksit të prurjes së çështjeve në Gjykatën e Lartë, mungesa e një sistemi digjital modern dhe sipas kërkesave të kohës, janë disa nga mangësitë me të cilat është përballur kjo Gjykatë. Pavarësisht marrjes së masave me karakter legjislativ dhe administrativ, kjo situatë pritet të zgjasë, duke pësuar përmirësime nga viti në vit”-thuhet ndër të tjera në përfundimet e Raportit.
Rritja e numrit të gjyqtarëve dhe shtimi i këshilltarëve të Gjykatës së Lartë do bëjë të mundur përgatitjen në kohë që shumë çështje të gjykohen në kohë.
“Plotësimi i numrit të gjyqtarëve dhe këshilltarëve ligjorë sipas organigramës dhe mundësia për të rritur në vijim numrin e tyre do të ndikojë në eficiencën e Gjykatës. Jemi të mendimit se shtimi i ndjeshëm i numrit të përgjithshëm të këshilltarëve ligjorë (3 këshilltarë ligjorë për 1 gjyqtar) do të bëjë të mundur përgatitjen në kohë të sa më shumë çështjeve që duhet të gjykohen nga trupat përkatëse. Nga ana tjetër, duhet mbajtur në vëmendje se ulja e stokut përmes marrjes së vendimeve është e lidhur edhe me respektimin e ngarkesës që duhet të përballojë vetë gjyqtari i Gjykatës së Lartë. Fakti se çdo gjyqtar duhet të përballojë një ngarkesë prej afro 500 çështjesh në vit është një arsye thelbësore për të rivlerësuar mundësinë për rritjen e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, në kuadrin e miratimit të hartës së re gjyqësore. Po kështu, sfidë për vitet në vijim mbetet edhe zgjidhja e çështjes së infrastrukturës së Gjykatës. Krijimi i kushteve të duhura të punës për të gjithë personelin e saj duhet të pajtohet me rolin dhe pozicionin kushtetues që ka, si Gjykata më e lartë në vend”-thuhet në raport.