Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Rama e Basha e mbyllën bashkë fushatën në Shkodër, në 6 mars do u prihet bileta


Ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë i fundit që ka mbyllur fushatën për zgjedhjet e pjesshme lokale në Shkodër.

Berisha vuri në dukje mbylljen pothuajse në të njëjtën kohë të fushatës së PD-së dhe PS-së në Shkodër ku si Basha dhe Rama morën pjesë dhe mbështetën kandidatët e tyre.

Berisha tha se “pengmarrësi kishte marrë edhe pengun” me vete, duke e konsideruar shfaqje të shëmtuar që i vinin në ndihmë njëri-tjetrit.

Berisha u kërkoi më tej shkodranëve të votojnë Bardh Spahinë më 6 mars.

“Sot në të njëjtën kohë dhe të njëjtën orë, pengmarrësi kishte marrë edhe pengun me vete, Lulzim Bravën apo Lul Kimikun siç e quani me të drejtë ju. Ishte e shëmtuar të shihje se si kishin ardhur në ndihmë të njëri-tjetrit, por mjeranë të sigurtë se Shkodra do u presë faturën, Shkodra do të firmosë humbjen dhe dështimin e të dyve.

Ndaj dhe thirrja ime për qytetarët e Shkodrës dhe të gjithë demokratet dhe demokratët, votoni Bardh Spahinë kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë”. Ju garantoj se do jetë një shërbëtor i bindur dhe i përkushtuar i juaji dhe se me buxhetin tuaj, me mbështetje të fuqishme të miqve të Shkodrës në Europë dhe në botë, do të realizojë një sërë projektesh të cila shtrihen nga Thethi, Dukagjini, Pulti, Velipoja, qyteti dhe çdo skaj i këtij rrethi.

Rëndësi të jashtëzakonshme ka në datën 6 mars të marrim të gjithë pjesë në votim, të votojmë për pranverën e shpresës, të votojmë për t’i dhënë një shtytje të re të fuqishme revolucionit demokratik paqësor i cili do të rikthejë në Shqipëri pluralizmin, demokracinë dhe integrimin e vendit në BE.

Dy ditë na ndajnë nga e diela, ti shndërrojmë ne këto dy ditë, në një përpjekje të madhe për takime me çdo mik familjar dhe të njohur ti bëjmë ftesën që të votojnë në bashkitë ku votohet në 6 mars dhe të mos mashtrohen nga hijet e Edvin Ramës dhe Lul bravës, të cilët kalojnë nga një skut në një tjetër, përpiqen të blejnë dhe shkelmojnë vullnete qytetarësh të lirë.

Të votojmë ne për shpresën, dinjitetin tonë, të ardhmen më të mirë të Shkodrës dhe Shqipërisë”, u shpreh Berisha.