Vendosni fjalën kyçe....

Celibashi paralajmëron: Kush angazhohet në shit-blerje të votës do të ketë pasoja


Në një konferencë me mediet dy ditë para zgjedhjeve të 6 Marsit, kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi u bëri thirrje qytetarëve apo edhe përfaqësuesve politikë të evidentojnë rastet e shkeljeve dhe t’i denoncojnë ato.

Ai paralajmëroi se ata që do të tentojnë të cënojnë vullnetin e lirë të qytetarëve apo do të angazhohen në shit-blerje votash, do të përballen me pasoja.

“Sot në orën 14:00, KQZ do të zhvillojë procesin e testimit operacional të pajisjeve të votimit elektronik në Vorë. Nuk ka asnjë lloj shkaku apo preteksti për dikë që të dyshojë apo vërë në diskutim sigurinë e votës, nga cdo pikëpamje e këtij procesi. I ftoj qytetarët e Vorës që të marrin pjesë në votime dhe të mos kenë asnjë lloj droje për sigurinë e votës. Kjo thirrje vlen për të gjithë votuesit e pesë bashkive të tjera, për të marrë pjesë në votime, duke i garantuar për një proces të përgatitur nga KQZ në përputhje me të gjitha parashikimet e Kodit Zgjedhor.

KQZ do të ketë vëmendje të shtuar në këto zgjedhje ndaj disa elementeve negative, të klasifikuara si kriminale. Çdokush që do të angazhohet në një proces të shit-blerjes së votës, apo ndikim tjetër mbi vullnetin e qytetarëve, do të ketë pasoja.

Nuk më vjen mirë ta sjell në vëmendje, por tashmë një pjesë jo e vogël e atyre rasteve e personave, të cilët KQZ i ka evidentuar si në shkelje të kodit zgjedhor, janë duke u ballafaquar me organet e drejtësisë. Ftoj të gjithë ata që evidentojnë shkelje, t’i denoncojnë ato.”- tha Celibashi.