Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Tiranës lë në fuqi masën e sigurimit “pezullim nga detyra” për Armand Dukën dhe zyrtarët e tjerë të FSHF-së


Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi këtë të premte masën e sigurimit “pezullim nga detyra” për presidentin e FSHF-së Armand Dukën.

I njëjti vendim mbetet në fuqi edhe për sekretarin e përgjithshëm të Shoqatës, Ardian Haçit dhe sekretarin e FSHF-së, Ilir Shulkun.

Asnjëri nga të tre nuk është paraqitur në gjykatë duke zgjedhur të përfaqësohen nga avokati i tyre Julian Mërtiri.

Ky i fundit ka thënë se një person politik nuk duhet të marrë pjesë në sport duke iu referuar kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe e konsideroi vendimin e gjykatës në kundërshtim me ligjin.

“Të tre personat nuk janë të pandehur po persona në hetim dhe nuk janë në poste shtetërore. Kërkesa e prokurorisë dhe vendimi i gjykatës është i pabazuar. Ligji për sportin nuk lejon ndërhyrjen e politikës në sport. Bashkia e Tiranës duhet të kishte shitur aksionet. Kallëzuesi është kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Gjykata duhet të vendosë revokimin e masës.”– tha avokati.

Duka dhe zyrtarët e tjerë të FSHF-së po hetohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.