Vendosni fjalën kyçe....

KESH injoron bursën e energjisë, hap tender për një platformë të re


Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka hapur një tender të ri me qëllim që të ndërtojë një sistem online që do t’i shërbejë për shit-blerjen e energjisë.

Kështu KESH ka vendosur në dispozicion një fond limit prej 155 milionë lekësh apo rreth 1.3 milionë euro për operatorët ekonomikë të cilët do të duhet të japin ofertat e tyre nën këtë vlerë. KESH argumenton se nevoja për ngritjen e kësaj platforme “vjen në kushtet kur kompania ka një licencë për furnizim të energjisë dhe detyrimin për zhvillimin në platforma elektronike të procedurave“.

Por me këtë veprim, KESH duke hapur tender për krijimin e një platforme të re injoron tërësisht bursën e energjisë me administrator Sokol Dishnicën, pavarësisht se qeveria ka investuar për të dhe aktualisht ka rreth 50 të punësuar.

Bursa e Energjisë ka rreth 1 vit e ngritur si kompani sha dhe për ngritjen e saj janë investuar nga Sekretariati i Energjisë së Vienës dhe OST-OSHEE 10 milionë Euro. Ka qenë pjesë e procesit të anëtaresimit në BE për kompanitë e energjisë.

Injorimi dhe anashkalimi i bursës përveçse shton një kosto prej 1.3 milionë euro për platformën e re, është një investim që shton amullinë dhe kaosin në tregun energjitik shqiptar./Hashtag.al