Kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka dalë sot në një konferencë për media lidhur me zgjedhjet e pjesshme lokale.
Dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në 6 bashki, Celibashi tha KQZ ka marrë të gjitha masat që procesi zgjedhor të ecë mirë.
Gjatë fjalës së tij, Celibashi ka pranuar se në Shkodër mund të ketë vështirësi në shpërndarjen e bazës materiale në dy zona në Shkodër për shkak të dëborës.
“Ju bëj me dije se ka kaluar akti normativ, që shtyn vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit, kështu që edhe për këto zgjedhje, ata qytetarë që kanë pasur një dokument identifikimi të skaduar apo ju skandon më 6 mars, është vendosur shtyrja e afatit të vlefshmërisë së tyre dhe ata do lejohen të votojnë. Jemi në fazën përmbyllëse të përgatitjes së këtyre zgjedhjeve. Kemi shpërndarë bazën materiale thuajse në të gjitha KZAZ-të, me përjashtim të një KZAZ-je në Shkodër. Jemi në fazën e përzgjedhjes së komisionerëve. Kemi probleme në këtë proces, por shpresoj që këtë pasdite ky proces të finalizohet.
Partitë e kanë bërë të drejtë të tyre të pakontestueshme që bëjnë ndryshimin e komisionerëve dy-tre ditë para zgjedhjeve. Por, ne shpresojmë që deri nesër t’i kemi dhe anëtarët e KZAZ-ve, pasi prania e tyre lidhet direkt me procesin e shpërndarjes së bazës materiale. Edhe në këto zgjedhje do të zhvillohet identifikimi elektronik i votuesve dhe në zonën e Bashkisë Vorë do të zhvillohet votimi elektronik. Në lidhje me shpërndarjen e bazës materiale, nga raportimet që kemi nga terreni nga KZAZ-të dhe inspektorët, kemi probleme dhe mund të kemi probleme në shpërndarjen e bazës materiale në disa zona të thella të Shkodrës. Kemi pasur një kërkesë nga ana e kryetares në detyrë të Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, për të bërë transferimin e vendndodhjes së rreth 12 qendrave votimi, ku ka vështirësi aksesi, në rrethinat e Shkodrës. Kjo kërkesë, edhe pse ka qenë e arsyeshme dhe e logjikshme, por sa kohë nuk gjeti mbështetjen në ligj, nuk e kemi pranuar. Ne nuk mund të miratonim zhvendosjen e tyre gati 50 kilometra larg. Ky është një problem i ligjit, që ndoshta do duhet ta adresojë reforma zgjedhore.
Problematika ngelet për të paktën dy zona të thella të Shkodrës, Shala dhe Pulti. Ka qenë problem edhe Boga e Thethi, por kemi marrë informacion që aty rrugët janë të hapura dhe mund të dërgojmë bazën materiale. Ngelet për t’u parë në këto dy njësitë e tjera administrative, ku për shkak të kushteve atmosferike mund të kemi probleme për transferimin e bazës materiale, por edhe me vendosjen në funksion të komisioneve të qendrave të votimit. Ne do të marrim të gjitha masat, që të mos kemi probleme, që lidhen me administrimin e procesit zgjedhor.”– u shpreh Celibashi.