Vendosni fjalën kyçe....

NATO nuk do e mbyllë hapësirën ajrore në Ukrainë, Stoltenberg: Nuk po kërkojmë luftë me Rusinë


Ministrat e jashtëm të NATO-s diskutuan sot kërkesën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të vendosur një “zonë të ndaluar fluturimi” mbi Ukrainë, por megjithatë nuk e miratuan atë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se krijimi i një zone të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë mund të rezultojë në përhapjen e luftës në më shumë vende evropiane.

“Ne e kuptojmë dëshpërimin, por besojmë gjithashtu se nëse do ta bënim këtë (duke krijuar një zonë ndalim-fluturimi) do të përfundonim duke bërë diçka që mund të çonte në një luftë të plotë në Evropë, duke përfshirë shumë më tepër vende.

Aleatët ranë dakord që të mos kenë aeroplanë të NATO-s që veprojnë në hapësirën ajrore të Ukrainës ose trupa të NATO-s në territorin e Ukrainës.”- tha ai pas një takimi me ministrat e jashtëm të NATO-s në Bruksel, citon The Guardian.

Në të njëjtën kohë, Stoltenberg shtoi se aleatët e NATO-s kanë përgjegjësi për të parandaluar që kjo luftë të përshkallëzohet përtej Ukrainës, sepse kjo sipas tij do të ishte edhe më e rrezikshme.

Gjatë fjalës së tij, Stoltenberg theksoi se NATO nuk po kërkon një luftë me Rusinë. Ai theksoi se NATO është një aleancë “mbrojtëse“.

“Detyra jonë kryesore është të mbajmë 30 kombet tona të sigurta.”- tha ai. “Ne nuk jemi pjesë e këtij konflikti dhe kemi përgjegjësinë të sigurojmë që ai të mos përshkallëzohet dhe të mos përhapet përtej Ukrainës. Kjo do të ishte edhe më shkatërruese dhe më e rrezikshme, me edhe më shumë vuajtje njerëzore.”