Polonia ka arrestuar një shtetas spanjoll me dyshimin për spiunazh në favor të inteligjencës Ruse, vepër penale e cila mund të dënohet me 10 vjet burg nëse ai shpallet fajtor, tha të premten Agjencia e Sigurisë së Brendshme (ABW).
Burri, i identifikuar si agjent inteligjencës ushtarake të Rusisë (GRU), u arrestua në Przemysl – afër kufirit të Polonisë me Ukrainën të dielën mbrëma, tha ABW në një deklaratë. Thuhej se ai ishte me origjinë ruse.
Avokati i tij spanjoll e quajti atë si Pablo Gonzalez, një reporter për disa media spanjolle, duke përfshirë gazetën në internet Publico dhe stacionin televiziv La Sexta, dhe kërkoi lirimin e tij të menjëhershëm.
Të dy mediat e kanë pranuar Gonzalezin se ka punuar me ta.
Gruaja e Gonzalez, Oihana Goiriena i tha Reuters se nuk kishte dëgjuar nga burri i saj që kur ai i telefonoi për t’i treguar asaj për arrestimin e tij të hënën.
Ajo tha se tetë zyrtarë nga agjencia e inteligjencës spanjolle CNI erdhën në shtëpinë e saj dhe i shpjeguan se burri i saj ishte arrestuar nën dyshimin se punonte kundër interesave të Ukrainës dhe do të mbahej në paraburgim deri në tre muaj.
Që nga arrestimi ai nuk ka pasur asnjë ndihmë juridike apo komunikim me botën e jashtme, tha Goiriena, e cila dyshon se do të mund të marrë një leje për të vizituar burrin e saj. Ajo shtoi se dyshonte se ai ishte arrestuar për të qenë një gazetar “i papërshtatshëm”.
“Më duhet të shtirem para fëmijëve për t’ua bërë më të lehtë,” tha ajo në një intervistë nga qyteti i vogël Nabarniz në Rajonin Bask ku ajo dhe Gonzalez jetojnë.
“Më pyesin vazhdimisht kur do vijë dhe nuk di çfarë të them… Ndoshta nuk do të kthehet për 10 vjet”.
Avokati i tij, Gonzalo Boye, i tha Reuters se nuk kishte arritur ende të kontaktonte klientin e tij. Ai shkroi në Twitter më herët se Gonzalez ishte akuzuar për spiunazh dhe po mbahej në burgun Rzeszow.
Ministria e Jashtme e Spanjës tha se ishte informuar nga autoritetet polake për akuzat, por nuk mund të jepte asnjë detaj. Ministria tha se do të ofronte ndihmë konsullore.
ABW tha se gazetari kreu operacione për përfitim të Rusisë dhe udhëtoi në Evropë dhe gjetkë nën mbulimin e të qenit gazetar.
“Para arrestimit, ai planifikonte të shkonte në Ukrainë për të vazhduar aktivitetin e tij”, thuhet në njoftim.