Vendosni fjalën kyçe....

Sulmohet xhamia në Pakistan, shënohen 30 viktima (PAMJET)


Të paktën 30 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri dhe një shpërthim që ka pasuar më pas në një xhami në Peshawar, në veriperëndim të Pakistanit, pranë kufirit me Afganistanin.

RT shkruan se sulmi kishte në shënjestër xhaminë Kucha Risaldar në qytetin e vjetër të Peshawarit në një kohë kur besimtarët myslimanë shiitë po mblidheshin për lutjet e së premtes.

Dy persona të armatosur fillimisht hapën zjarr ndaj oficerëve të policisë jashtë ndërtesës, ka thënë shefi i policisë së Peshawarit, Mohammed Ejaz Khan.

Gjatë shkëmbimit të armëve, u vra një prej të dyshuarve si dhe një oficer. Ndërsa sulmuesi i dytë arriti të hynte në xhami dhe pikërisht atëherë ndodhi shpërthimi. Kryepolici Khan tha se brenda në xhami ndodheshin rreth 150 persona.

“Ne jemi në gjendje të jashtëzakonshme dhe të lënduarit po dërgohen në spital.”– tha një oficer policie për “Reuters”.

Një nga të mbijetuarit kujtoi se sapo ai po hynte në xhami, shpërthimi e përplasi përsëri në rrugë. “I hapa sytë dhe kishte pluhur dhe trupa kudo.”– tha ai.

Asnjë grup deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë për bombardimin, por si Shteti Islamik ashtu edhe talebanët pakistanezë kanë qenë aktivë në zonë, duke kryer sulme të ngjashme.