Vendosni fjalën kyçe....

Vladimir Putin: Nuk kemi qëllime të këqija kundër fqinjëve tanë, mos e përkeqësoni situatën duke na vënë më shumë sanksione


Vladimir Putin ka paralajmëruar ata që kundërshtojnë veprimet e Rusisë në Ukrainë “të mos e përkeqësojnë situatën” duke vendosur më shumë kufizime ndaj vendit të tij.

Presidenti rus po fliste në një takim të kabinetit qeveritar të transmetuar në kanalin e lajmeve “Rossiya 24” të kontrolluar nga shteti.

“Ne nuk kemi qëllime të këqija kundër fqinjëve tanë.”- pohon Putin, citon BBC.

Dhe ai thotë se qeveria e tij “nuk shikon asnjë nevojë” që fqinjët e saj të ndërmarrin veprime të mëtejshme që “do t’i përkeqësojnë marrëdhëniet tona”.

“Unë mendoj se të gjithë duhet të mendojnë se si të normalizojnë marrëdhëniet, të bashkëpunojnë normalisht dhe të zhvillojnë marrëdhëniet normalisht.”- shton presidenti rus.

Deklarata e Putinit vjen në një kohë kur ministrat e jashtëm nga i gjithë Perëndimi pritet të mblidhen në Bruksel për të diskutuar se si të mbajnë presionin ndaj Rusisë lidhur me situatën në Ukrainë.

Putini përsëriti pretendimin e tij të mëparshëm se të gjitha veprimet e ndërmarra nga ushtria ruse deri më tani janë bërë “ekskluzivisht në përgjigje të disa veprimeve jomiqësore kundër Federatës Ruse”.