Miliarderi Elon Musk u zotua të premten se shërbimi i tij i internetit SpaceX Starlink do i bllokonte mediat ruse vetëm ‘nëse do i drejtohej një armë në kokë’pasi dyshohet se ishte urdhëruar nga qeveri të paidentifikuara të censuronte burimet mediatike të vendit.
Musk pohoi në një postim në Twitter se kompanisë Starlink ‘i ishte thënë nga disa qeveri (jo Ukraina) të bllokonte burimet ruse të lajmeve’.
“Ne nuk do ta bëjmë këtë. Do e bënim vetëm nëse do na vinin pistoletën në kokë,” u zotua ai.
“Më vjen keq që jam absolutist i fjalës së lirë.” – shtoi ai.
Pasi një person kritikoi Musk-un dhe akuzoi mediat ruse si ‘propagandë’, miliarderi u përgjigj: “Të gjitha burimet e lajmeve janë pjesërisht propagandë, disa më shumë se të tjerat.”
Javën e kaluar, Musk njoftoi se programi i tij në internet satelitor Starlink ishte tashmë aktiv në Ukrainë pasi zëvendëskryeministri i Kievit Mykhailo Fedorov iu lut CEO-t të SpaceX për ndihmë në luftën kundër Rusisë.
“Ndërsa ju përpiqeni të kolonizoni Marsin, Rusia po përpiqet të pushtojë Ukrainën! Ndërsa raketat tuaja zbarkojnë me sukses nga hapësira, raketat ruse sulmojnë civilët ukrainas! Ne ju kërkojmë t’i siguroni Ukrainës stacionet Starlink dhe t’u drejtoheni rusëve të arsyeshëm që të ndalojnë”, tha Fedorov në një letër të hapur drejtuar Musk në atë kohë.
Musk më vonë u falënderua nga qeveria ukrainase për mbështetjen e tij. BE-ja ndaloi mediat ruse, përfshirë RT dhe Sputnik, këtë javë – duke hequr RT TV dhe duke urdhëruar kompanitë e teknologjisë të bllokojnë qasjen në faqen e RT dhe faqet e mediave sociale, duke e akuzuar median për përhapjen e ‘dezinformatave të dëmshme’.
Google, Apple, Microsoft, Facebook, Twitter, Telegram, TikTok, Reddit dhe kompani të tjera të teknologjisë, të gjitha respektuan urdhrin e censurës të BE-së.