Një oligark i lindur në Ukrainë është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në rrethana të pashpjegueshme, ka thënë policia e Surrey në Britani.
Oficerët po e trajtojnë vdekjen e 66-vjeçarit Mikhail Watford, i cili e bëri pasurinë e tij me naftë e gaz pas rënies së Bashkimit Sovjetik, si të pashpjegueshme. Por ata thanë se nuk mendohej të ishte e dyshimtë.
Lajmi vjen pasi vëmendja përqendrohet te sanksionet që Britania e Madhe ka vendosur ndaj anëtarëve të rrethit të brendshëm të presidentit rus Putin, pas sulmit ndaj Ukrainës. Vdekja e biznemenit pason përpjekjen për vrasje në tokën e Mbretërisë së Bashkuar të ish-agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij, për të cilën Londra ka akuzuar shefin e Kremlinit.
Megjithatë, nuk ka asnjë sugjerim se Ëatford ka qenë objektiv i sanksioneve të mbështetura nga Britania për shkak të afërsisë me Putinin.
Policia e Surrey tha se trupi i tij u gjet të hënën në një adresë pranë Virginia Water, midis Slough dhe Woking, në perëndim të Londrës.
Watford lindi me emrin Mikhail Tolstosheya në Ukrainë në vitin 1955, gjatë epokës sovjetike të vendit.
Ai njihej zakonisht si Misha dhe, sipas Sunday Times, e ndërroi mbiemrin e tij pasi u transferua në Britani. Fillimisht ai u vendos në Londër, ku jetoi me gruan e tij estoneze, Jane, përpara se të transferohej në Surrey.