Vendosni fjalën kyçe....

Italia sekuestron vila e jahte me vlerë 140 mln euro të katër rusëve


Biznesmeni rus dhe presidenti i Federatës Ndërkombëtare të “Fencing” (FIE) Alisher Usmanov

Policia italiane ka sekuestruar vila dhe jahte me vlerë të paktën 140 milionë euro nga katër rusë të profilit të lartë, të cilët ishin vendosur në listën e sanksioneve të BE-së pas sulmit të Moskës ndaj Ukrainës, thanë burimet të shtunën.

Një burim policor tha se një vilë në pronësi të biznesmenit miliarder Alisher Usmanov në ishullin mesdhetar të Sardenjës dhe një vilë në liqenin Como në pronësi të prezantuesit të televizionit shtetëror Vladimir Soloviev, të dyja ishin sekuestruar.

Përveç kësaj, burimet konfirmuan se jahtet që i përkisnin njeriut më të pasur të Rusisë, Alexey Mordashov, dhe Gennady Timchenko, i cili ka lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin, u konfiskuan gjatë natës në portin verior italian të Imperias

Oligarkët rusë besohet se kanë blerë vila të shumta në vende të zgjedhura italiane gjatë 20 viteve të fundit dhe burimet thanë se më shumë asete priten të sekuestrohen në ditët në vijim pasi shtetet perëndimore zbatojnë sanksione masive në përpjekje për të detyruar Rusinë të tërhiqet nga Ukraina.

Bankat italiane u udhëzuan nga divizioni i inteligjencës financiare të Bankës së Italisë të premten që ta njoftonin urgjentisht për të gjitha masat e marra për ngrirjen e aseteve të njerëzve dhe subjekteve të vendosura në listën e BE-së.

Manjati i metaleve dhe telekomit me origjinë nga Uzbekistani Usmanov është i njohur në Itali për zotërimin e pronave të shumta në Sardenjë, ndërsa mediat italiane thonë se Mordashov zotëronte një vilë me vlerë rreth 66 milionë euro në të njëjtin ishull.

Duke marrë parasysh asetet e të gjithë familjes së tij, revista Forbes vlerëson se Mordashov kishte një vlerë neto prej 29.1 miliardë dollarësh përpara se të goditeshin sanksionet.

Jahti i tij 65 metra “Lady M” kishte një çmim prej 65 milionë euro, ndërsa anija e Timchenkos “Lena” vlente rreth 50 milionë euro, tha një burim policor.

Timchenko bëri një pasuri në tregtinë e naftës dhe është përshkruar nga Putin si një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.

Soloviev thuhet se u ankua në televizionin rus kur mori vesh muajin e kaluar se rrezikonte të humbiste vilën e tij italiane.

“Papritmas dikush merr një vendim që ky gazetar tani është në listën e sanksioneve. Dhe menjëherë kjo ndikon në pasurinë tuaj të paluajtshme. Prisni një minutë. Por ju na thatë se Evropa ka të drejta të shenjta pronësie,” raporton Daily Beast se ka thënë ai.

Kryetari i Bordit të Drejtorëve të kompanisë Severstal Alexei Mordashov