Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, në një deklaratë për mediat, u shpreh se do të dorëzojë në SPAK një kallëzim penal për zëvendëskyreministrin, Arben Ahmetaj, për shkak të përfshirjes së tij në aferën e inceneratorëve.
Sipas Dhurata Çupit, Arben Ahmetaj firmosi financimin me 53 milionë euro për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, ndërsa zëvendëskryeministri aktual është i përfshirë edhe në aferën e inceneratorit të TIranës.
Sipas deputetes Dhurata Çupi, Arben Ahmetaj emëroi dy anëtar të komisionit të ofertave për inceneratorin e Tiranës, ndërsa shton gjithashtu, se zëvendëskryeministri ka miqësi me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton.
“Është fakt se në dy ministri të ndryshme, Arben Ahmetaj ka pranuar dhe më pas ka firmosur financimin me 53 milionë euro për incineratorët e Elbasanit dhe Fierit. Pa firmën e Ministrit të Financave dhe pa miratimin e kryeministrit, nuk munde të miratohej një skemë e tillë e jashtëzakonshme financimi.
Është fakt se Arben Ahmetaj ka miratuar modelin financiar për inceneratorin e Tiranës, që është kryevepra e korrupsionit të qeverisë së Ramës dhe bashkisë së Tiranës.
Është fakt se asnjë nga incineratorët nuk është sot në punë, pavarësisht milionave të paguar nga taksat e shqiptarëve me firmën e Arben Ahmetajt dhe miratimit nga Edi Rama. Është fakt se 2 nga x anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për rastin e Tiranës janë të emëruar nga Arben Ahmetaj.
Është fakt se në kohën që në kohën e vlerësimit të ofertave për Tiranën Arben Ahmetaj ishte me pushime me 2 nga pronarët e ardhshëm të incineratorit të Tiranës, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto”, u shpreh Çupi.