Kryeministri Rama ka shkruar mbrëmjen e sotme se Shqipërisë do i duhet të mbajë një pjesë të barrës së luftës në Ukrainë.
Teksa i përgjigjet një komentuesi që e pyet për rritjen e çmimit të naftës, kreu i qeverisë shkruan se qeveria po mban të parritur çmimin e energjisë, të cilën e shet dhe e blen vetë ndërsa lidhur me çmimin e miellit apo naftës, ai tha se nuk ka çfarë të bëjë.
Rama e mbyll përgjigjen me një shprehje frazeologjike teksa shkruan se ‘kush mbyll sytë kur i vjen tjetrit lufta në shtëpin e tij, shumë shpejt e ka luftën në shtëpinë e tij’.
“Po bëhet luftë, luftë prej vërteti, luftë me bomba e me viktima e me plagë te jashtëzakonshme, kjo po ndodh dhe po të ishte i mundur kontrolli i çmimeve nga qeveria, do e kishte ndonjë qeveri në Europë ku çmimet po rriten edhe më frikshëm se këtu, ndërkohë që këtu nuk po rritet ende energjia elektrike, pikërisht sepse shteti që e shet dhe e blen energjinë, ndryshe nga nafta e mielli e tërë të tjerat që shiten e blihen nga privatet, po e mban me dhëmbë kur i thonë llafit pikërisht që të lehtësojë sadopak familjarët! Që s’është e drejtë kjo nuk diskutohet, po s’ka si të mos ndodhë në këto kushte alarmi në të gjitha tregjet dhe me sanksionet ndaj Rusisë që është eksportuesi më i madh në Europë i gazit, naftës dhe grurit, por ama nga ana tjetër s’ka se si të mos e marrim edhe ne bashkë me tërë të tjerët, një pjesë të barrës së luftës së ukrainasve kundër një agresioni ushtarak mbi shtetin e tyre sovran e demokratik, sepse historia na ka mësuar më shumë se një herë që kush mbyll sytë kur i vjen tjetrit lufta në shtëpinë e vet, shumë shpejt e ka luftën në shtëpinë e tij.” – shkruan Rama