Vendosni fjalën kyçe....

Rama publikon telefonatën me Zelenskyn: I shpreha vullnetin e plotë për të bërë gjithçka mundemi që Ukraina të triumfojë


Kryeministri Edi Rama ka publikuar një sekuencë nga telefonata me Presidentin e Ukrainës Volodymir Zelensky.

Rama gjatë telefonatës dëgjohet t’i thotë Zelenskyt se do të donte të bënte më shumë për ta ndihmuar atë.

Ai gjithashtu i shprehu admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar për rezistencën ukrainase.

Sot pata një telefonatë nga Presidenti Zelensky, i cili më falënderoi për gjithçka Shqipëria po bën në këto ditë tragjike për popullin e tij, për Europën e për mbarë botën, duke nisur nga roli ynë si bashkëpenëmbajtës me SHBA në Këshillin e Sigurimit, tek ndihmat e dhëna për ushtrinë ukrainase, si edhe angazhimi intensiv në kanalet diplomatike me partnerë të rëndësishëm, në mbështetje të Ukrainës.

I shpreha presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë, me të dhe rezistencën ukrainase, si edhe vullnetin e plotë për të bërë gjithçka mundemi në përmasën tonë të vogël, që Ukraina të triumfojë në luftën e saj liridashëse”-shkruan Rama.