Vendosni fjalën kyçe....

Rusia tregon arsyet pse sulmi në Ukrainë shkoi përtej Donbasit


Presidenti rus Putin tha të shtunën se ai zgjodhi të sulmonte Ukrainën përtej kufijve të Republikave Popullore të Donetskut dhe Luganskut (DPR dhe LPR) për të parandaluar Perëndimin që të furnizonte ‘pafundësisht’’nacionalistët e radikalët’ me burime të ndryshme, si armë dhe para.

Ai shtoi se forcat ruse kishin ‘mbaruar praktikisht’ shkatërrimin e instalimeve ushtarake të Ukrainës, të tilla si mbrojtja ajrore dhe depot e armëve.

Presidenti deklaroi se ai kishte urdhëruar trupat ruse të pushtonin Ukrainën javën e kaluar në mënyrë që të neutralizonin ‘kërcënimin real’ që vinte nga Kievi dhe NATO. Moska ka protestuar prej kohësh kundër infrastrukturës ushtarake perëndimore përgjatë kufijve të saj dhe aspiratave të Ukrainës për t’u bashkuar me bllokun e udhëhequr nga SHBA.

“Ata filluan të thonë më aktivisht se do ta pranojnë Ukrainën në NATO. Në çfarë do të çojë kjo? Të gjithë anëtarët e tjerë të aleancës do duhet të mbështesin Ukrainën në rast të një konflikti ushtarak”, tha Putin. “Ata do të sulmojnë Krimenë dhe ne do të detyrohemi të shkojmë në luftë me NATO-n. A i kuptoni pasojat?” Presidenti deklaroi se donte që Ukraina të bëhej një vend neutral.

Krimea votoi për të lënë Ukrainën dhe për t’iu bashkuar Rusisë menjëherë pas grushtit të shtetit të vitit 2014 në Kiev. Ishte gjatë asaj kohe që DPR dhe LPR u shkëputën nga Ukraina.

“Le të marrim armë bërthamore, thonë ata në Ukrainë. Ne nuk mund ta injorojmë këtë gjë,”tha Putin, duke iu referuar komentit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky muajin e kaluar se Kievi mund të detyrohet të rishqyrtojë statusin e tij si një shtet pa armë bërthamore.

Rusia pushtoi fqinjin e saj më 24 shkurt, me argumentin se po mbronte DPR dhe LPR. Putin gjithashtu pretendoi se ai po kërkonte ‘çmilitarizimin dhe denazifikimin’ e vendit.

Kievi tha se sulmi ishte krejtësisht i paprovokuar dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndihmë. Shumë vende, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe vendet anëtare të BE-së, kanë vendosur që atëherë sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë.