Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka dalë në një deklaratë për mediet ku ka dhënë detaje në lidhje me procesin zgjedhor, që po zhvillohet sot në 6 bashki të vendit.
Celibashi ka treguar se ka patur incidente të raportuara deri më tani në Dibër dhe Durrës, por që sipas tij pa ndikuar në procesin e votimit.
Ai tha se nuk janë evidentuar probleme madhore, me përjashtim të disa qendrave të votimit në Shkodër dhe Dibër, ku ka mot të keq, dhe bora ka arritur në pothuajse gjysmë metër.
“Kemi të raportuar për një incident në Dibër e Durrës në dy QV, lidhen me mënyrën si anëtarët e komisioneve të QV e administrojnë procesin atje por duhet të them që janë pa ndikim në procesin e votimit të paktën deri tani.
Në vlerësimin tonë problematika më shumë lidhet me disa QV në Shkodër e Dibër për shkak të situatës admosferike.
Duhet ta them e t’i falenderoj komisionerët e këtyre QV që në kushte shumë ektreme të kohës një pjesë e madhe e tyre janë paraiqtur në detyrë, shpresojmë brenda afatit 5 orësh që Kodi Zgjedhor lejon që ne ta nisim votimin dhe në ato qendra ku nuk ka nisur akoma në Shosh e Pult dhe në ato që është ndërprerë për arsye teknike.”- tha Celibashi.