Kalimi i sigurt i civilëve nga qyteti port lindor i rrethuar i Ukrainës, Mariupol, u ndal të dielën për të dytën ditë radhazi. Lajmi u konfirmua nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.
Në një deklaratë, ICRS tha: “Mes skenave shkatërruese të vuajtjeve njerëzore në Mariupol, një përpjekje e dytë sot për të nisur evakuimin e rreth 200 mijë njerëzve jashtë qytetit u ndal.
Përpjekjet e dështuara dje dhe sot nënvizojnë mungesën e një marrëveshjeje të detajuar dhe funksionale mes palëve në konflikt.”
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thekson se nuk mund të jetë në asnjë mënyrë garantuesi i një marrëveshjeje armëpushimi midis palëve ose i zbatimit të saj.
“Që kalimi i sigurt i civilëve të ndodhë me nivelet e kërkuara të besimit, palët duhet të bien dakord mes tyre jo vetëm në parim, por edhe për detajet dhe parametrat e një marrëveshjeje evakuimi.”– vijoi deklarata e ICRS-së, sipas The Guardian.
Ndërkohë Këshilli i qytetit të Mariupol tha se evakuimi nuk ishte i mundur për shkak të bombardimeve ruse. “Është jashtëzakonisht e rrezikshme të nxjerrësh njerëzit jashtë në kushte të tilla.”– tha këshilli i qytetit në një deklaratë në internet.