Këtë të dielë po zhvillohen biseda telefonike mes presidentëve rus dhe turk, Vladimir Putin dhe Recep Tayyip Erdogan, lidhur me situatën në Ukrainë.
Përfaqësuesi zyrtar i presidentit turk, Ibrahim Kalin, tha se Erdogan gjatë bisedës telefonike me Putinin synon të përcjellë propozime për të krijuar kushte që Moska të ulet në tryezën e bisedimeve me Kievin.
Sipas medies turke TRT, Erdogan deklaroi se janë të gatshëm të kontribuojnë në zgjidhjen sa më të shpejtë të problemit të Ukrainës me metoda paqësore.
Duke argumentuar se një armëpushim i përgjithshëm urgjent jo vetëm që do të lehtësonte shqetësimet humanitare në rajon, por gjithashtu do të jepte një mundësi për të kërkuar një zgjidhje politike, Erdogan përsëriti thirrjen e tij “Të shtrojmë së bashku rrugën për paqen”.
Presidenti turk tha se do të vazhdojë përpjekjet e tij për të zhvilluar negociata gjithëpërfshirëse dhe për të arritur rezultate.
Më 24 shkurt, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi një operacion të posaçëm ushtarak në Ukrainë në përgjigje të apelit të udhëheqësve të republikave të Donbasit për ndihmë. Ai theksoi se planet e Moskës nuk përfshijnë pushtimin e territoreve të Ukrainës, por se qëllimi është “çmilitarizimi dhe denazifikimi” i vendit.