Parantezë nga Hashtag.al: Në shkurt të vitit 2019, teknologu politik Vladislav Surkov, i njohur ndryshe dhe si “kardinali gri” i Putinit, publikoi një shkrim që bëri shumë bujë.
Shkrimi ka një vlerë të veçantë në të kuptuarin objektiv të mentalitetit të kupolës drejtuese ruse, larg interpretimeve amatore të medias tradicionale prandaj “Hashtag.al” ka vendosur ta risjellë.
“Putin’s Long state” quhet shkrimi i tij në versionin anglisht, ndërsa në forumet e kualifikuara dhe profesionale mbi gjeopolitikën e diplomacinë, ky shkrim është shqyrtuar me shumë përparësi dhe mbi të kanë komentuar dhe autoritete të botës perëndimore, me skepticizëm ose në mbështetje; ose në ndërthurje të të dyjave.
Në kushtet kur masmedia perëndimore e gjeti veten në një kurth, pas dy viteve sulmesh mbi presidentin Trump, raporti i prokurorit special Mueller, provoi se ofensiva dy vjeçare e masmedias perëndimore me “ndikimin rus” ishte absolutisht jo-profesionale, spekuluese dhe nga një ofensivë e kurdisur u kthye në një autogol të pamëshirshëm për besueshmërinë e këtyre mediave që prej dekadash kanë poseduar thuajse monopolin e besueshmërisë.
Shkrimi i Surkovit vjen në këtë kontekst, duket sikur ai ka gjetur rastin të thotë: “Nuk do ju lë të mbyteni në oqeanin e mashtrimeve të medias perëndimore mbi Rusinë, do ua themi vetë se kush jemi, çfarë duam dhe si do e arrijmë”.
Ky shkrim i Surkovit është konsideruar nga disa studiues të gjeopolitikës dhe diplomacisë, si një koncentrat i tezave dhe doktrinës mbi të cilat është e bazuar qeverisja e Putinit.
Lexim të këndshëm në vijim:
SHTETI AFATGJATË I PUTINIT
Nga Vladislav Surkov
“E vetmja gjë që shfaqet aty në horizont, është mundësia që troket veç një herë”. Kjo frazë është mbreslënëse, sepse vjen nga rrënjët e thella të diturisë dhe urtisë.
Kjo frazë është thënë një dekadë e gjysmë më parë, por sot është harruar dhe nuk përmendet më. Por siç na mësojnë principet e psikologjisë, gjërat që ne i harrojmë na ndikojnë më tepër se gjërat që i mbajmë mend.
Kjo shprehje e sjellë sot tingëllon e shkëputur dhe larg kontekstit që ekzistonte kur u artikulua për herë të parë, asokohe kjo shprehje u bë aksioma e parë e politikës së re shtetndërtuese të Rusisë, mbi këtë aksiomë janë bazuar të gjitha teoritë dhe praktikat e politikës tonë bashkëkohore.
Iluzioni i zgjedhjes, ose iluzioni i opsioneve, është më i rëndësishmi ndër të gjitha iluzionet, është marifeti më i arrirë në stilin e jetës perëndimore në tërësi dhe i demokracisë perëndimore në veçanti.
Për një kohë të gjatë, ky marifet është bazuar më tepër në principet e P.T. Barnum, se sa në principet e Cleisthenesit.
Refuzimi i këtij iluzioni nga ana jonë dhe orientimi drejt nocionit të “realitetit të paracaktuar”, na dha mundësinë që më së pari ne të reflektojmë mbi veten dhe mbi gjërat që na bëjnë të veçantë, të mendojmë fillimisht për një version sovran të zhvillimit të demokracisë, ndërsa më pas ne humbëm plotësisht çdo interes mbi diskutime të tipit se si duhet të jetë demokracia apo të filozofojmë nëse demokracia ekziston dot si e tillë.
Ky qëndrim hapi shtegun për zhvillimin tonë të lirë shtetformues, duke mos u ndikuar fare nga predikuesit e importuar nga jashtë, por duke u bazuar vetëm në logjikën e proceseve historike, nga i ashtuquajturi “arti i së mundshmes”.
Nga ana tjetër, arti i së pamundurës na çoi në shpërbërje, në një rrjedhë të panatyrshme dhe kundër-historike të Rusisë, që në arritëm ta ndalnim, ndonëse me vonesë.
Ne u zhbëmë duke kaluar nga niveli i Bashkimit Sovjetik në nivelin e Federatës së Rusisë.
Por Rusia e ndali zhbërjen, nisi përtëritjen dhe u rikthye në gjendjen e saj natyrore, në të vetmen gjendje të mundshme që ky vend mund të ekzistojë: Në gjendjen lavdishme të një komuniteti kombesh në rritje që rifitojnë trojet.
Historia botërore s’na ka rezervuar një rol modest, historia s’na e ka lejuar që të dalim nga skena apo që të rrijmë heshtur diku në një cep të skenës.
Historia s’na jep luksin që të ndalemi dhe njëherësh paracakton karakterin e vështirë të qeverisjes sonë.
E kështu, shteti i Rusisë ndjek rrjedhën, tashmë si një lloj i ri shteti që nuk ka ekzistuar ndonjëherë si i tillë, asnjëherë më parë.
Ky lloj i ri shteti e mori shtysën nga mesi i viteve 2000′, e që nga kjo kohë është studiuar shumë pak dinamika e tij, ama veçantia dhe qëndrueshmëria e këtij shteti janë sot një realitet arbitrar.
Testet e stresit dhe presionit që ky shtet ka kaluar dhe po kalon, kanë treguar se veçantia organike në modelin e funksionimit politik, siguron një mjet efektiv për mbijetesën dhe ngritjen e kombit rus, jo vetëm për vitet e ardhshme, por për dekada dhe me shumë të ngjarë, për të gjithë shekullin e ardhshëm.
Në këtë mënyrë, historia e Rusisë ka njohur deri më sot katër modele qeverisje, të cilave mund t’u referohemi bazuar te katër krijuesit e tyre:
-Qeverisja e Ivanit të Tretë (Principata Madhështore/ Mbretëria e Moskës dhe gjithë Rusisë, shekulli XV-XVII)
-Qeverisja e Pjetrit të Madh (Perandoria Ruse, shekulli , XVIII-XIX)
-Qeverisja e Leninit (Bashkimi Sovjetik shekulli XX)
-Qeverisja e Putinit (Federata e Rusisë, shekulli XXI).
E krijuar nga njerëz që (duke i’u referuar termit të Lev Gulimev) posedonin vullnet politik afatgjatë, njëra pas tjetrës këto makineri politike të gjithëanshme riparuan veten, u përshtatën me rrethanat në rrugë e sipër; dhe siguruan një përparim të pamëshirshëm të Botës Ruse.
Makineria politike e Putinit është në fazën e parë të përgatitjes, drejt një pune afatgjatë, të vështirë dhe interesante.
Funksionimi i saj me kapacitet të plotë është ende larg, ndërsa shumë vite më pas Rusia do vijojë të mbetet në epokën e “modelit Putin”, njësoj sikur Franca sot e quan veten si Republika e Pestë e DeGolit, apo Turqia (edhe pse tani qeveriset nga anti-Kemalistë) ende bazohet në ideologjinë e “gjashtë shigjetave” të Ataturkut, apo Shtetet e Bashkuara që ende sot apelojnë për imazhin dhe vlerat thuajse legjendare të “baballarëve themelues” .
Ajo ç’ka lypet, është sqarimi dhe përshkrimi i sistemit qeverisës së Putinit dhe të gjithë buqetës së ideve dhe përmasave të Putinizmit si ideologji e së ardhmes – sidomos së ardhmes- sepse në ditët e sotme zor se vet Putinin mund ta konsiderosh putinist, si shembull; edhe Karl Marksi nuk ishte marksist dhe ne s’mund të jemi të sigurt nëse ai do binte dakord nëse do e gjente veten në pozicionin që i dha më pas e ardhmja.
Por ne kemi nevojë për këtë shpjegim për hir të të gjithë atyre që nuk janë Putini, por dëshirojnë të jenë si ai dhe të kenë mundësinë të zbatojnë metodat dhe qasjet e tij në kohët e ardhshme.
Ky përshkrim nuk duhet të kuptohet si një duel apo rivalitet i propagandave, propaganda jonë kundër propagandës së tyre, por duhet injektuar në një lloj forme që do të mund të përceptohej si “heretizëm i reformuar”, si nga zyrtarët rusë ashtu dhe nga zyrtarët anti-rusë.
Një gjuhë e tillë mund të bëhet e pranueshme për një audiencë mjaft të madhe, ç’ka është pikërisht ajo që nevojitet, sepse sistemi politik që është ndërtuar në Rusi është i përshtatshëm për të shërbyer jo vetëm për nevojat e ardhshme të vendit, por natyrisht ka potencial të rëndësishëm eksporti.
Kërkesa për këtë model dhe për disa përbërës të veçantë të tij tashmë ekziston, kjo përvojë po studiohet dhe miratohet pjesërisht, në disa raste po imitohet nga grupet qeverisëse ose opozitare në disa vende të tjera.
Politikanët e huaj e akuzojnë Rusinë për ndërhyrje në zgjedhje anembanë planetit.
Por në fakt, situata është shumë më serioze se kaq: Rusia po ndërhyn te truri i tyre dhe ata nuk dinë ç’të bëjnë me ndërgjegjen e tyre të transformuar tashmë.
Pas viteve shkatërrimtare të 90’s, Rusia shpërfilli ideologjitë e huazuara nga jashtë, filloi të gjeneronte idetë e veta dhe filloi të kundërveprojë me Perëndimin. Që atëherë, ekspertët evropianë dhe amerikanë kanë bërë gabime në parashikimet e tyre gjithnjë e më shpesh.
Ata befasohen dhe shqetësohen nga preferencat paranormale të elektoratit. Në konfuzion, ata kanë hapur alarmin për një shpërthim të populizmit.
Ata janë të lirë ta quajnë dhe kështu problemin, për sa kohë e kanë të pamundur ta përcaktojnë ndryshe.
Ndërkohë, interesi i të huajve në algoritmin politik të Rusisë është i thjeshtë për t’u kuptuar: Askush nuk është profet në fshatin e vet, ama ç’do gjë që atyre po u ndodh sot, është profetizuar nga Rusia shumë kohë më parë.
Kur të gjithë ishin të dashuruar me idenë e globalizimit dhe përhapnin nevojën për një botë të sheshtë e pa kufij, Moska në mënyrë këmbëngulëse u kujtonte se sovraniteti dhe interesi shtetëror kanë një rëndësi të dorës së parë.
Asokohe shumë njerëz na quajtën “naivë” që mbaheshim akoma me këto mendime të vjetra e të dala mode.
Ata na predikuan se është e kotë të mbështetesh në vlerat e shekullit XIX dhe u përpoqën të na mësonin se duhet të kalojmë me guxim në shekullin XXI, ku supozohet se nuk do të ketë asnjë komb sovran ose komb-shtet.
Sidoqoftë, shekulli XXI është duke i dhënë të drejtë qëndrimit tonë dhe jo ideve “moderniste”.
Brexiti britanik, triumfi i politikës amerikane #GreatAgain, politika anti-imigrante e Evropës, këto janë vetëm shembujt e parë në një listë të gjatë të manifestimeve të zakonshme të de-globalizimit, ri-sovranitetit dhe nacionalizmit.
Kur në çdo cep të globit e quanin internetin si një hapësirë të lirisë së pakufishme ku çdokush është i barabartë dhe të gjithëve u lejohet e njëjta hapësirë, erdhi posaçërisht nga Rusia një pyetje kthjelluese në lidhje me realitetin e ri kibernetik:
“Kush jemi ne në botën e internetit: merimanga apo miza?“
Ndërsa sot koha tregoi se dhe ato burokracitë më liridashëse po rreken të zgjidhin problemet e komplikuara të botës kibernetike, duke akuzuar dhe Facebook-un se i ka dhënë kompetenca arbitrare mësymjeve të huaja.
Ajo që ishte dikur hapësira e lirë virtuale dhe që na shitej si një prototip i parajsës mbi Tokë, sot është e rrethuar me një kordon të përbërë nga policia-kibernetike, kriminelët-kibernetikë, ushtritë-kibernetike, spiunët-kibernetikë, terroristët-kibernetikë dhe sigurisht që s’mund të mungonin as moralistët-kibernetikë.
Kur hegjemonia e “hegjemonit” nuk po kundërshtohej më nga askush, ëndrra madhështore amerikane për dominimin botëror ishte shumë pranë përmbushjes, ndërsa shumë njerëz kishin haluçinacione se hallka e fundit e ciklit hegjemonik kishte mbërritur, duke arsyetuar se “deri sa askush nuk pipëtin, nuk kundërshton dhe të gjithë heshtin”, kështu duhej të ishte.
Në kulmin e heshtjes totale, papritur mbërriti fjalimi i famshëm i Putinit në Mynih, në vitin 2007. (Shikoje këtu fjalimin)
Asokohe ky fjalim u etiketua si i papranueshëm, por sot duket gjithëçka është e vetkuptueshme: askush nuk është i lumtur me Amerikën, përfshirë dhe vet amerikanët.
Në Turqi përdorej një nocion i quajtur “derin devlet” që ishte i panjohur deri kur mediat amerikane e popullarizuan këtë nocion.
I përkthyer në anglisht “derin devlet” është ajo që quhet “deep state”, ose shteti i abisit, siç u përshtat më pas në secilën gjuhë, përfshirë dhe atë ruse.
Ky nocion nënkupton një organizatë të ashpër, me shumë zgjatime, absolutisht anti-demokratike, një strukturë filo-autoritariste dhe shtypëse, e cila qëndron e sajdisur dhe e fshehur pas disa institucioneve të vitrinës që në dukje shfaqen si demokratike.
Ky mekanizëm që në praktikë e ushtron autoritetin e vet nëpërmjet akteve të dhunës, korruptimit dhe manipulimit, zhytet i padukshëm nën sipërfaqen e një shoqërie civile mediokre, ndërsa manipulon, korrupton ose shtyp të gjithë ata që guxojnë ta akuzojnë.
Shoqëria amerikane nuk është se u befasua kur zbuloi se në indet e saj ekzistonte ky mekanizëm i quajtur shtet i abisit(deep state), kjo ndodhi edhe për faktin se prej shumë kohësh amerikanët e kishin dyshuar ekzistencën e këtij mekanizmi.
Derisa ekziston “deep net” (abisi kibernetik), “dark net” (terri kibernetik) pse të mos ekzistonte dhe një “deep state” (shtet i abisit) ose po të doni dhe një “dark state” (shtet i territ)?
Nga thellësitë dhe errësira e kësaj fuqie të paeksploruar dhe të pa reklamuar ka lulëzuar ideja mbi “mrekullinë e demokracisë”, e gatuar posaçërisht për konsum masiv, duke shfaqur iluzionin e zgjedhjes, ndjenjën e lirisë, mashtrimet e superioritetit e kështu me radhë.
Mosbesimi dhe lakmia, dy elementët që demokracia e abisit i përdor si lëndë të parë për energjinë shoqërore, në mënyrë të pashmangshme do të çonin në një rritje të sensit kritik dhe të ankthit.
Spekulantët, zemërakët, mercenarët e këtij sistemi të demokracisë së abisit, kanë formuar një masë protagoniste agresive, e cila ka nxjerrë jashtë loje shtresën e mesme dhe rolin e saj ekuilibrues të dikurshëm.
Askush sot nuk beson në qëllimet e mira të politikanëve. Ata i kanë zili dhe njëkohësisht i konsiderojnë të korruptuar, të zgjuar, ose thjesht të pandershëm. Seriale televizive të njohura si “The Boss” apo “The House of Cards”, përshkruajnë deri diku me skenat e tyre forcën e territ që imponon sjelljen e kastës drejtuese.
Logjika ta do që një zullumqari i duhet prerë rruga, për faktin e thjeshtë se ai është zullumqar.
Por ama kur të gjithë përreth teje (siç supozojmë) janë zullumqarë, atëherë je i detyruar që të përdorësh zullumin si mjet për të përballuar dhe triumfuar mbi zullumqarët e tjerë.
Nëse dikush heq një pykë duke përdorur një pykë tjetër, dikush eleminon një zullumqar duke kurdisur një zullum tjetër.
Ekziston një pafundësi mundësish për zullume, ku çdo lojëtar ka mundësinë të bëjë zullumin e radhës ose kundër-zullumin e radhës, në një skemë ku zullumet lidhen njëri pas tjetrit pak a shumë si laku i kravatës.
Ja kështu ndodh në një sistem të ndërtuar mbi parimin “check and balance” (kontrollo dhe ekuilibro) – në thelb është një ekuilibër dinamik i vjedhjes, një ndërveprim i kopracisë dhe lakmisë, një harmoni e mashtrimeve.
Por nëse dikush harron se kjo është vetëm një lojë dhe fillon të shpërfillë rregullat, atëherë shteti vigjilent i abisit (deep state) nxiton drejt tij, një dorë e padukshme e mbërthen prej lakut të kravatës dhe e tërheq poshtë në abis.
Nuk ka asgjë për t’u frikësuar në këtë imazh të demokracisë perëndimore që unë përshkrova. Mjafton që secili të rishikojë disi këndvështrimin mbi sipërfaqen dhe vitrinën dhe ky realitet nuk është se ka për ta frikësuar më.
E kuptoj që ky përshkrim lë një shije të thartë, ndoshta një qytetar perëndimor mediton, rrotullon kokën në kërkim të modeleve të reja dhe të mënyrave të tjera të jetuarit.
Dhe…aty shfaqet Rusia.
Sistemi ynë, (ashtu siç në përgjithësi gjithë gjërat tona) nuk është më i këndshëm, por ama është më i ndershëm.
Dhe kur unë them “më i ndershëm” nuk jam duke dhënë ndonjë sinonim të fjalës “më i mirë” për këdo, por jam duke thënë se ndershmëria ka sharmin e vet.
Shteti ynë nuk është i ndarë në dy përmasa, abisi dhe vitrina. Ai është ndërtuar si një kallëp, me të gjitha përmasat dhe manifestimet të dukshme për gjithëkënd.
Elementët më brutalë të përbërjes së tij mund të shihen qartësisht në fasadë, pa e marrë mundimin t’i maskojmë me zbukurime arkitekturore.
Madje burokracia jonë edhe kur përpiqet të kurdisë diçka me dinakëri ose hile nuk është se mundohet shumë për të mbuluar gjurmët e saj, sepse ecën me parimin: “sado të mundohesh, prapë do e kuptojnë”.
Tensioni i madh i brendshëm i shkaktuar nga nevoja për të kontrolluar zona të mëdha gjeografike dhe heterogjene, pjesëmarrja e vazhdueshme në luftën gjeopolitike, i bëjnë funksionet ushtarake dhe policore të qeverisë më të rëndësishme dhe më vendimtare.
Në përputhje me traditën, intencionet tona nuk janë të fshehura.
Biznesmenët, të cilët mendojnë se perspektiva ushtarake ka një vlerë më të vogël sesa perspektiva komerciale, nuk e kanë qeverisur dot asnjëherë Rusinë (pothuajse asnjëherë, përjashtimet ishin disa muaj më 1917 dhe disa vite në vitet 1990). As liberalët (bashkë-udhëtarët e biznesmenëve), mësimet e të cilëve janë të bazuara në mohimin e atyre gjërave që kanë ngjashmëri me policët nuk e kanë qeverisur dot Rusinë.
Kështu që prerrogativa e konceptimit të një shteti me dy përmasa, abisi dhe vitrina, nuk ka asnjë vlerë në Rusi.
Nuk ekziston shteti i abisit (deep state) në Rusi, por ama nga ana tjetër, ekziston një komb me rrënjë të thella.
Në sipërfaqe shkëlqen elita e cila, shekull pas shekullit (le të japim atë që i takon) ka përfshirë njerëzit në sipërmarrjet e saj të ndryshme – konferencat partiake, luftërat, zgjedhjet, eksperimentet ekonomike. Kombi rrënjë-thellë përfshihet në këto sipërmarrje, por mbetet disi i mbyllur dhe nuk shfaqet në sipërfaqe, por zhvillon jetën e vet krejtësisht ndryshe në thellësitë e veta.
Dy jetët e kombit, një në sipërfaqe dhe një në thellësi, ndonjëherë dalin në drejtime të kundërta, ndonjëherë në të njëjtën drejtim, por kurrë nuk bashkohen.
Kombi rrënjë-thellë është më i çuditshëm nga ç’duket, i paarritshëm për anketat sociologjike, agjitacionin, kërcënimet ose ndonjë formë tjetër të ndikimit të drejtpërdrejtë.
Kuptimin e asaj çka është, çfarë mendon apo dhe çka dëshiron, shpesh e gjen papritmas ose dhe shumë vonë, dhe jo për hir të atyre që mund të bëjnë diçka me vetëdijen e gjetur.
Do na ishte i çmuar ai sociolog që do të mund të zbulonte nëse kombi rrënjë-thellë është ekuivalent i gjithë popullsisë, apo nëse është një pjesë e caktuar e tij. E nëse është një pjesë e caktuar, për cilën pjesë bëhet fjalë?
Në kohë të ndryshme presupozohej se kjo pjesë ishin fshatarët, proletariati, anëtarët jo-partiake, hipsterat, apo punonjësit e qeverisë. Njerëzit tanë sikur e kërkonin ta preknin këtë ndjesi të rrënjëve të thella dhe u përpoqën të angazhoheshin.
Ata ca kohë e quajtën udhëheqësin ekzekutues të vullnetit të Perëndisë, ose të kundërtën.
Ndonjëherë ky nocion mendohej si imagjinar dhe sikur nuk ekzistonte në realitet dhe nisën reforma galopante pa hedhur vështrimin pas, por shpejt u përballën me të kaluarën tonë dhe u detyruam të pranonim se “diçka vërtet ekziston.”
Më shumë se një herë vetëdija e kombit rrënjë-thellë u shpërfytyrua nën shtypjen e pushtuesve vendas ose të huaj, por gjithnjë u kthye.
Me masën e vet gjigande, kombi rrënjë-thellë krijon një forcë të pakapërcyeshme të gravitacionit kulturor që bashkon mbarë kombin dhe tërheq në tokë (në vendin amë) elitën, kur ajo herë pas here përpiqet të fluturojë mbi të në një mënyrë kozmopolitike.
Rrënjët e Kombit, sido që mund të kuptohen, janë pararendësi i shtetit.
Paracaktojnë formën e shtetit, kufizojnë fantazitë e teoricienëve dhe detyrojnë praktikuesit të kryejnë akte të caktuara.
Është një forcë tërheqje e fuqishme dhe të gjitha trajektoret politike, pa përjashtim, çojnë në të.
Në Rusi, mund të tentoni nga çdo pozicion – konservatorizmi, socializmi, liberalizmi – por gjithmonë do të përfundoni përafërsisht te e njëjta gjë. Kjo është, ajo çfarë ekziston aktualisht.
Aftësia për ta dëgjuar dhe kuptuar kombin, për të parë të gjitha shtigjet ndër të, ndër të gjitha skutat e rrënjëve të thella të kombit, pikërisht ky është virtyti më i çmuar i qeverisjes së Putinit.
Sepse përputhet me nevojat e njerëzve, ndjek të njëjtin kurs me njerëzit, nuk lejon që kundër-rrymat historike t’ia ndryshojnë kursin. Kjo e bën efiçente dhe afatgjatë.
Në këtë sistem të gjitha institucionet i nënshtrohen një qëllimi kryesor: komunikim i bazuar mbi besimin ndërmjet kreut të shtetit dhe qytetarëve.
Dikasteret e ndryshme shtetërore ndërthuren sëbashku përreth liderit dhe bëhen të vleshme jo për aksionin e tyre në vetvete, por për rolin e tyre bazik, si zgjatime që çojnë nevojat e qytetarëve te lideri udhëheqës.
Kur marrëzia, prapambetja, ose korrupsioni, përpiqen të ndërhyjnë në këto linja komunikimi me njerëzit, aktivizohen menjëherë veprime energjike të cilat ndërpresin këtë ndërhyrje dhe garantojnë se zëri i njerëzve do të dëgjohet pa asnjë lloj ndërhyrje.
Modelin e institucioneve ne e kemi adoptuar nga perëndimi. Ky është një adoptim i nevojshëm që të paktën në dukje të mos kemi diferenca që do të binin shumë në sy dhe në këtë mënyrë shfaqemi “si gjithë të tjerët” dhe i privojmë të tjerët të godasin veçantitë e kulturës sonë politike.
Është pak a shumë si ai kostumi që ne e veshim ditën e Dielë, kur na duhet të shkojmë në ndonjë sebep, ose kur presim ndonjë mik në shtëpi.
Por ama porsa miku ikën nga shtëpia, ne heqim kostumin dhe veshim rrobat e shtëpisë dhe rrimë në shtëpinë tonë siç na e ndjen, për qejfin tonë.
Në thelb, shoqëria jonë i beson vetëm kreut të shtetit. Nuk di të them nëse kjo ka të bëjë me krenarinë, ose lidhet me dëshirën për të prekur të vërtetën me duart e tua apo nëse ka lidhje ndonjë gjë tjetër, është e vështirë të thuhet, por ama është fakt dhe nuk është një fakt i ri.
Ajo që është e re është se qeveria nuk e injoron këtë fakt, por e merr parasysh dhe e përdor atë si një pikë nisje në punën e saj.
Do të ishte një thjeshtëzim i panevojshëm nëse këtë marrëdhënie do ta përkufizonim me shprehjen “Populli i beson mirësisë së Carit”. Kombi rrënjë-thellë nuk është aspak naiv dhe nuk e konsideron zemrën e butë të udhëheqësit si një tipar pozitiv.
Më afër perceptimit popullor për udhëheqësin, ndoshta do të na vlente shprehja që tha dikur Ajnshtajni për Zotin duke e përcaktuar si “Të zgjuar, por jo keqdashës”.
Modeli bashkëkohor i shtetit rus fillon me besim dhe mbështetet në besim. Ky është dallimi kryesor i tij nga modeli perëndimor, i cili kultivon mosbesimin dhe kritikën. Dhe ky është burimi i fuqisë së tij.
Shteti ynë i ri do të ketë një histori të gjatë dhe të lavdishme në këtë shekull të ri. Nuk do të thyhet.
Ai do të punojë me veten, duke fituar dhe mbajtur trofetë e ligës më profesionale të luftës gjeopolitike.
Herët a vonë të gjithë do të detyrohen ta pranojnë këtë realitet, duke përfshirë të gjithë ata që aktualisht kërkojnë që Rusia “të ndryshojë sjelljen e saj”.
Sepse dhe ata do e kuptojnë se… veç një mundësi ka aty në horizont.
****************************************
Përktheu nga rusishtja në anglisht Dmitry Orlov. Versionin në anglisht e gjeni këtu.
Përshtati në shqip: Hashtag.al