Moti ka shkaktuar probleme edhe në Dibër, ku në 18 qendra votimi mungon energjia elektrike dhe identifikimi i votuesve po kryhet manualisht.
Në 2 njësi administrative janë pa energji elektrike, Arrasi dhe Sllova, ndërsa në disa qendra votimi nuk po kryhet identifikimi elektronik, por po bëhet manualisht teksa procesi i votimit vijon.
Tre orë pas nisjes së procesit të votimit, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi pranoi problematikat.
“Në Dibër janë 101 qendra votimi dhe tek 101 qendrat votimi ka filluar votimi. Kemi një problem aktualisht në 18 qendra votimi në lidhje me energjinë elektrike në Kastriot dhe në Kala të Dobës për shkak të situatës së reshjeve të doborës.”- tha Celibashi.
Partia Socialiste do të përfaqësohet në këto zgjedhje me Rahim Spahiun. Partia Demokratike ka zgjedhur Luan Hakën si kandidat, ndërsa Shtëpia e Lirisë përfaqësohet me Premtim Kryemadhin. Në këtë bashki ndryshe nga 5 të tjerat ku do zhvillohen zgjedhjet, në garë është dhe një kandidat i katërt, Dritan Torba nga Lëvizja e Re.