Vendosni fjalën kyçe....

Selia blu nxjerr dokumentin: Berisha bashkoi votat me Ramën kundër PD


Partia Demokratike ka publikuar një dokument duke akuzuar ish-kryeministrin Berisha e koalicionin Shtëpia e Lirisë se kanë bashkuar votat me PS-në.

Bëhet fjalë për KZAZ-në 26 në Bashkinë e Vorës ku përfaqësuesit e PS-së dhe ata të Koalicionit Shtëpia e Lirisë kanë bashkuar votat për të larguar nga komisioni përfaqësuesit e PD-së duke deklaruar se nuk ishin banorë të zonës.

Sipas selisë blu, individë që janë pasuruar në kurriz të PD-së kanë vijuar edhe sot të sulmojnë partinë.

Në reagim përmendin deputeti Flamur Noka e ish-deputeti Keltis Kruja. Në fund selia blu thekson se PD nuk mund të mbetet peng e të korruptuarve apo kriminelëve me të cilët Noka e Kruja bëjnë pazare në kurriz të demokratëve.

“Individe që janë pasuruar në kurriz të PD, me votat e demokratëve kanë vijuar edhe sot të sulmojnë PD. E gjithë Vora e di se Flamur Noka ka trafikuar votat e demokratëve për llogari të djalit të Aqif Rakipit në zgjedhjet e 25 prillit. E gjithë Vora dhe Rrogozhina e di se Keltis Kruja ka punuar për Aqif Rakipin. Prandaj dhe sot u bënë bashkë kundër komisionerëve të PD. PD nuk mbetet peng i të korruptuarve, as kriminelëve me të cilët këta individë bëjnë pazare në kurriz të demokratëve. Edhe sot, Berisha i bashkoi votat me Ramën kundër Partisë Demokratike.” – thuhet në denoncimin e PD-së.