Tridhjetë e tetë fëmijë janë vrarë dhe 71 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.
Sipas medies Ukrinform, Komisionerja për të Drejtat e Njeriut Liudmyla Denisova e raportoi këtë përmes një postimi në Telegram.
“Deri në orën 12:00 të datës 6 mars 2022, që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë u vranë 38 fëmijë dhe u plagosën 71 fëmijë. Këto të dhëna nuk janë përfundimtare, pasi aktualisht është e pamundur të vendoset informacion i saktë për numrin e banorëve të vrarë dhe të plagosur të Mariupolit, rajonit Donetsk dhe qytetit Irpin në rajonin e Kievit.”– tha zyrtarja ukrainase.
Denisova theksoi se një djalë një vjeç e gjysmë kishte vdekur si pasojë e granatimeve nga agresorët rusë në Mariupol në 24 orët e fundit. Gjithashtu, sipas saj, në Bucha në rajonin e Kievit, dy fëmijë të plagosur rëndë vdiqën për shkak të pamundësisë për të marrë kujdes mjekësor.
Më pas ajo tha se tre civilë ishin vrarë nga sulmet në qytetin Irpin, mes të cilëve dy fëmijë.
“Në dalje të qytetit Irpin, rajoni i Kievit, trupat ruse hapën zjarr ndaj civilëve ndërsa ata u përpoqën të evakuoheshin nga qyteti. Të paktën tre persona u vranë, duke përfshirë dy fëmijë, dhe një tjetër është në gjendje kritike për shkak të plagëve.”- tha Denisova.
Sipas saj, një djalë, i cili lindi në Kharkiv 40 ditë më parë, vdiq nga pneumonia, të cilën e mori gjatë një qëndrimi disaditor në një strehë në Kharkiv.
Denisova sqaroi se në zonën Hostomel-Bucha-Irpin ka deri në 70 fëmijë në strehimore, ka të plagosur, por mjekët dhe vullnetarët nuk lejohen të shohin fëmijët.