Ka hedhur votën e tij kandidati i PD-së për kryetar bashkie në Shkodër, Xhemal Bushati. Ai u bëri thirrje qytetarëve shkodranë që sot të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre ndërsa i pyetur nga gazetarët lidhur me problemet brenda PD-së ai tha se demokratët do t’i zgjidhin ato pas ditës së sotme.
“Sot është dita që tan shkodranët me përdor fuqinë e votës së tyne për Shkodrën. I ftoj qytetarët e Shkodrës dhe qytetarët e të gjitha njësive administrative, të shkojnë të votojnë, për Shkodrën, të ardhmen e fëmijëve të tyne, të ardhmen e tyne. Të ushtrojnë votën me dashni për Shkodrën.
Komisionerët e PD janë në detyrë, ka probleme me infrastrukturën që janë për arsye organizative dhe nuk janë në dorën e tyre. Të plotësohen kushtet.
Këto janë zgjedhje lokale. PD di t’i zgjidhë problemet e veta. Sot shkodranët do të jenë bashkë. Problemet e tyre i zgjidhin pas datës 6 mars. Përballja ime më e fortë, kam një kontratë me qytetarët e Shkodrës dhe do ecim përpara e ta mbarojmë deri në fund kontratën.”– tha Bushati gjatë prononcimit të tij për mediet.
Shkodra në medie është komentuar edhe si beteja më e fortë e këtyre zgjedhjeve, kjo për shkak se kryeqendra e veriut është një bastion historik i PD-së, e cila e ka fituar bashkinë në çdo betejë elektorale pas vitit 1990.
Në këto zgjedhje kandidojnë: Majlinda Angoni (PS), Xhemal Bushati (PD) dhe Bardh Spahia (Shtëpia e Lirisë).