Kompania hungareze, 4iG, ka njoftuar zyrtarisht përfundimin e procesit të blerjes së paketës kontrolluese të aksioneve të ALBtelecom. Marrëveshja për shitjen e 80.27% të aksioneve që mbaheshin nga konsorciumi turk CETEL TELEKOM u njoftua në fillim të muajit dhjetor 2021.
Në janar të këtij viti, transaksioni mori miratimet përkatëse nga Autoriteti i Konkurrencës dhe nga Autoriteti i Mediave Audiovizive.
Ndërkohë, vendimi që lejon transferimin e të drejtave mbi autorizimin individual për përdorimin e frekuencave, që jepet nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), nuk është bërë ende publik nga ky institucion.
Megjithatë, 4iG njoftoi se marrëveshja ka marrë miratimet e nevojshme rregullatore, çka nënkupton se edhe AKEP i ka dhënë dritë të gjelbër shitjes tek hungarezët. Pjesa e mbetur e aksioneve do të vazhdojë të zotërohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë (13.78%), Posta Shqiptare (2.47%), dhe aksionerët e tjerë individë (3.48%).
Kompania e listuar në Bursën e Budapestit shprehet në përputhje me strategjinë e saj të zgjerimit ndërkombëtar, po forcon pozicionin e saj në rajon.
Çmimi i shitjes nuk është bërë publik, megjithatë palët kanë bërë të ditur se, si pjesë e transaksionit, Çalik Holding do të bëhet investitor institucional në 4iG. Çalik Holding do të nënshkruajë një rritje kapitali prej më shumë se 8 miliardë Forinta Hungareze (rreth 20.6 milionë Euro), duke përfituar më pak se 5% të aksioneve në kompaninë hungareze të informacionit dhe komunikimit.
Palët nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme, megjithatë logjika e operacionit tregon se kuotat e mësipërme do të përfitohen si pjesë e çmimit të shitjes së ALBtelecom. Palët shprehen se bashkëpunimi mund të hapë mundësi të mëtejshme biznesi të përbashkëta për kompaninë turke dhe hungareze në Ballkan dhe Azinë Qendrore. Çalik Holding është angazhuar në Hungari, ku kompania synon të zgjerohet.
Gellért Jászai, Kryetar i Bordit dhe Drejtor Ekzekutiv i 4iG tha se kompania do të angazhohet për zhvillimin e sektorit të telekomunikacionit dhe pjesëmarrjen në transformimin digjital të Shqipërisë.
“ALBtelecom është një lojtar kryesor në të gjitha fushat e telekomunikacionit, një ofrues 4P që është lider në tregun e shërbimeve fikse në Shqipëri. Kompania ka potencial të konsiderueshëm rritjeje në zgjidhjet mobile dhe digjitale që mund të bëhen një nga fushat kryesore të zhvillimit në të ardhmen.” – theksoi ai.
“Shprehim kënaqësinë që ALBtelecom tashmë zotërohet nga një investitor strategjik i angazhuar ndaj kompanisë. Me këtë rast, dëshiroj të falenderoj të gjithë stafin e ALBtelecom për mbështetjen dhe përkushtimin dhe kemi besimin se ALBtelecom do të vazhdojë të arrijë suksese të jashtëzakonshme. Nga ana tjetër, besojmë gjithashtu se bashkëpunimi ynë me 4iG do të jetë vlerë e jashtëzakonshme për të dyja palët,” tha Ahmet Çalik, President i Çalik Holding.
ALBtelecom është ofruesi më i madh i shërbimeve fikse të komunikimit në Shqipëri, me rreth 153 mijë abonentë të telefonisë fikse, 118 mijë linja interneti dhe 66 mijë abonentë të shërbimit IPTV. ALBtelecom është gjithashtu operatori i tretë i telefonisë celulare në vend, me rreth 405 mijë abonentë.
4iG ka arritur gjithashtu një marrëveshje për blerjen e operatorit të dytë më të mahd të shërbimeve celulare në vend, ONE Telecommunications. Finalizimi i kësaj blerje do ta ulte numrin e operatorëve celularë në vend në dy, nga tre që janë aktualisht. Për shkak se transaksioni shkakton përqendrim të konsiderueshëm të tregut, ai do të jetë subjekt i një vlerësimi të thelluar nga Autoriteti i Konkurrencës./E.Shehu
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor