Vendosni fjalën kyçe....

Bankat ruse kalojnë në sistemin kinez ‘UnionPay’


Të dielën, disa banka ruse njoftuan planet për të filluar lëshimin e kartave duke përdorur sistemin e operatorit të kartave kineze UnionPay.

Hapi, i cili erdhi menjëherë pasi Mastercard dhe Visa u zotuan të ndërpresin operacionet në Rusi dhe të shkëputin të gjitha bankat e vendit nga sistemet e tyre të pagesave, do t’u mundësojë mbajtësve të kartave të reja t’i përdorin ato për të paguar dhe tërhequr para jashtë vendit.

Të shtunën, ofruesit e shërbimeve financiare ndërkombëtare Visa dhe Mastercard thanë se do të pezullonin operacionet në Rusi brenda disa ditëve të ardhshme për shkak të sanksioneve të fundit perëndimore lidhur me luftën e vazhdueshme të Moskës në Ukrainë.

Hapi drastik e bën të pamundur përdorimin e kartave të lëshuara në Rusi ,jashtë vendit. Po kështu, kartat që janë lëshuar jashtë Rusisë do të ndalojnë së punuari në Rusi.

Visa dhe Mastercard janë markat më të fundit ndërkombëtare që ndërmarrin lëvizje të ashpra ndaj Rusisë për konfliktin në Ukrainë. Më herët, kompani të tilla si PayPal, Netflix, Intel, Inditex, Airbnb dhe Rolls Royce njoftuan se po largoheshin nga tregu i vendit.

Bankat ruse, duke përfshirë Sberbank, huadhënësin më të madh të Rusisë, si dhe Alfa Bank dhe Tinkoff lëshuan njoftime në lidhje me kalimin në UnionPay për shkak të zhvillimeve të fundit. Disa nga bankat ruse, si Pochta Bank, Gazprombank, Promsvyazbank, Sovcombank dhe disa banka të tjera të vogla kishin punuar më parë me sistemin e operatorit të kartave UnionPay.

UnionPay, një sistem pagesash ndërkombëtare i themeluar në vitin 2002, mori statusin ndërkombëtar në 2005.

Me seli në Shangai, kompania thuhet se operon në më shumë se 180 vende anembanë globit, duke përfshirë Zvicrën, Greqinë, Italinë, Spanjën, Gjermaninë, Meksikën, Qipron, Tajlandën, Indinë, Izraelin, Portugalinë, Kroacinë, Poloninë, Serbinë, Hungarinë dhe Austrinë.