Vendosni fjalën kyçe....

Bardh Spahia drejt fitores së sigurt nis festën në Shkodër: Një thirrje kam për ata që s’donin të më votonin, dera është e hapur edhe për ju


Bardh Spahia është me siguri fituesi i zgjedhjeve për kreun e bashkisë në Shkodër. Ndërsa numërohet edhe kutia e fundit, ai ka nisur dhe festën me qytetarët shkodranë nga ku ka mbajtur një fjalim përpara medieve.

Spahia pasi falenderoi qytetarët për mbështetjen tha se ai do të jetë kryebashkiaku i të gjithë shkodranëve pa dallim, ndërsa i ftoi edhe demokratët që s’e votuan se “derën e kanë të hapur”.

“Në këtë ditë historike, këtë ditë feste për gjithë demokracinë shqiptare dua ta nis me një falenderim për gjithë demokratët dhe qytetarët e Shkodrës për besimin që më dhanë me votën e tyre.

Falenderoj edhe aleatët e “Shtëpisë së Lirisë’. Falenderoj nga zemra edhe gazetarët dhe të gjithë stafin e shtabit tonë elektoral por edhe këtë rini të jashtëzakonshme, të cilët i dhanë energji, i dhanë frymë tjeëtr kësaj gare elektorale. Me falenderimin e përzemërt ndaj qytetarëve ju garantoj se nga nesër unë do të jem kryebashkiaku i të gjithë qytetarëve të Shkodrës.

Një thirrje kam për ata që s’donin të më votonin mua, edhe për ata demokratë që për pak humbën rrugën: Dera e shumicës, dera jonë do të jetë e hapur për të gjithë demokratët.

Nga sot në Shkodër ju siguroj që fillon një rrugëtim i ri, një ndryshim i madh në gjithë Shqipërinë. E para do komunikoj siç duhet me bashkësqytetarët e mi. Sot jemi këtu për të vlerësuar forcën e ndryshimit që garanton vota e lirë, sot jemi në ditën ku më shumë se asnjëherë tjetër

Le ta festojmë këtë ditë si dita e votës së lirë të qytetarëve të Shkodrës. Shkodra është fituese, të djathtët e vërtetë janë fitues sot në gjithë Shqipërinë.”– deklaroi Spahia.

Sipas rezultateve paraprake, kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” Bardh Spahia ka marrë 20 125 vota, kandidatja e PS-së Majlinda Angoni ka marrë 18 205 ndërsa kandidati Xhemal Bushati i PD-së ka marrë 7 749 vota.