Vendosni fjalën kyçe....

Berisha kërkon “rezolutë të përbashkët” për Ukrainën: E keni shtyrë rezolutën tonë për interesa të paqëndrueshme


Ish-kryeministri Sali Berisha ishte i pari që mori fjalën në seancën e sotme parlamentare, ku kërkoi që të realizohej një rezolutë e përbashkët. Ai u ankua se rezoluta e propozuar nga deputetët e Komisionit të Rithemelimit ishte shtyrë.

“Siç jemi në dijeni, një rezolutë në mbështetje të Ukrainës është kërkuar të paktën një muaj më parë dhe natyrisht mbështetja për Ukrainën është një akt moral por dhe ligjor i detyrueshëm sot.

Një grup deputetësh kanë dërguar një rezolutë dhe ajo duhet të paraqitej dhe megjithë përpjekjet e bëra nga ky grup rezoluta është shtyrë gjatë seancës së sotme.

Tani ju më thoni se befasisht keni shtyrë rezolutën për një ditë tjetër por ky nuk është një akt i mençur. Këtu janë dy rezoluta, anëtarët e projektimit të dy rezolutave të ulen dhe diskutojnë pikat e përbashkëta.

Por për interesa të paqëndrueshme ju e keni shtyrë rezolutën që do vinte sot në parlament. Nuk duhet të bëjmë beteja politike këtu se beteja është mes Rusisë dhe botës së lirë.”– deklaroi Berisha.

Mirëpo kërkesa e tij nuk u pranua nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Ajo tha se rezoluta e propozuar nga deputetët e Komisionit të Rithemelimit është kërkuar me mocion me debat dhe për këtë duhet kohë të miratohet nga Konferenca e Kryetarëve.