Mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të grupit parlamentar të PS, Taluant Balla janë shkëmbyer replika në Kuvend.
Balla tha se të gjithë deputetët në bllok duhet të votojnë rezolutën që dënon agresionin rus mbi Ukrainën po kjo u kundërshtua nga Berisha i cili tha se deputetët nuk përmendën fare rezolutën e PE, që citon mes të tjerash se Rusia ka tentuar të destabilizojë qetësinë në Ballkan dhe të dëmtojë demokracinë.
Balla: Fatkeqësi shumë e madhe që në kushtet e një plage të madhe mu në mes të Evropës të çohet dikush që ka qenë president e të fyej viktimat, familjet që janë të detyruar të lë atdheun e vet dhe të hedhë të njëjta kunja që ka hedhur tërë jetës së vet politike, për orekse të brendshme. Turpi ka një emër dhe i mbetet atij që foli. Situata përpara është më e keqja e që do të kërkonte që sot të ishim të bashkuar e jo të ndarë. Lufta po shkatërron në Ukrainë dhe po fut kthetrat edhe në Shqipëri. Rezoluta erdhi si një nevojë që Kuvendi i Shqipërisë të merrte qëndrimin e vet. Rezoluta si përket asnjë grupi parlamentar. Nuk njoh më shumë se 4 grupe parlamentare në këtë sallë. Si e tillë edhe në mënyrën si u dakordësua, me zonjën Doda, Mediu dhe Alibeaj, ka qenë diçka për t’u përshëndetur duke vlerësuar reagimin e kolegëve që përmenda. Nuk është as e dy grupeve të mëdha, por është e 4 grupeve që ekzistojnë në Kuvendin e Shqipërisë. Rezoluta është në të njëjtën linjë, standard të BE, Bundestagut. Mund të kesh 1 mijë arsye për të bërë opozitë, por diskutimi i njeriut që foli që s’kishte lidhje me opozitën. Halli jot s’mund të jetë halle të Kuvendit. Sa i përket rezolutës, duhet ta keni të qartë se ajo dënon agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë të Rusisë të tërësisë territoriale të Ukrainës. Një akt që dhunon rendin ndërkombëtar duke shkelur kartën e OKB, e një sërë dokumentesh të tjera ndërkombëtare. Sot duhet të mbështesim qeverinë shqiptare në bashkërendim me BE dhe SHBA në përpjekje të sovranitetit të plotë e të rendit global mes shteteve. Kush ka 2 pare mend, të mbështesë sanksionet ekonomike dhe masat diplomatike ndaj Federatës Ruse. Ndihmë ushtarake humanitare për Ukrainën dhe kombin e saj, këtë kërkon Kuvendi. Çdo deputet duhet ta ndajë mirë se në cilën anë të historisë është. Prandaj unë do ju ftoja të gjithëve të lenim kunjat, orekset e politikës së ditës, është një dokument që na bën krenar dhe shpreh vullnetin, do të thoja që jemi një ndër kombet e vetme që jemi 100% me ata miqtë atje, me popullin e Ukrainës. Ne kemi një minoritet shqiptar në Odessa, por lidhjet vëllazërore me popullin e Ukrainës duhet të ishin pjesë e diskutimeve korrekte. Ngrije kokën (I drejtohet Berishës), si mund të ketë pasur Shqipëria një njeri si ai që ka qenë kryeministër 2 herë dhe president 2 herë. Rroftë populli i Ukrainës!
Berisha: Rezoluta e Parlamentit Evropian thotë se shikon me shqetësim të madh përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar vendet e Ballkanit Perëndimor e të hyjë në proceset e tyre demokratike. Shpreh keqardhje të madhe se Serbia me mos pozicionimin e saj, në bashkimin me BE ndaj sanksioneve ruse e rëndon procesin e saj në integrimin drejt BE. Tani t’ju pyes unë ju, nëse PE gjen një nen për Ballkanin Perëndimorë dhe ju vasalë të Vuçiçit nuk gjeni guximin të thoni asnjë fjalë për Ballkanin e hapur… Çfarë jeni ju more mjeranë, skllevër që ulni kokat para një tirani që s’ka fuqinë e carit të Kremlinit po ka të njëjtën shpirt. Vendi i tij është në Hagë, për masakrat e shkaktuara. Nuk ia vlen të jap atë që meriton personalisht parafolësi, por kjo është përgjigja ime.