Ndërsa lufta e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon në javën e saj të dytë, civilët po ikin nga përleshjet në qytetin verior Irpin.
I vendosur në lumin Irpin, pranë kryeqytetit Kiev, Irpin është një nga rajonet ku janë duke u zhvilluar përleshjet mes forcave ruse dhe ukrainase. Pamjet më të fundit nga rajoni treguan se turma të mëdha civilësh e kafshët shtëpiake po nxitonin të largoheshin nga qyteti.
Për dalje, ata po përpiqeshin të kalonin urën që u hodh në erë nga ushtarët ukrainas për të parandaluar hyrjen e trupave ruse në Irpin.
Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës ka çuar në zemërim ndërkombëtar, me BE, SHBA, Britani të Madhe dhe të tjerë që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës. Perëndimi po furnizon gjithashtu Kievin me armë dhe ndihma humanitare.
Të paktën 351 civilë janë vrarë dhe 707 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, sipas shifrave të OKB-së.
Më shumë se 1.3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje, tregojnë të dhënat e fundit nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.