Vendosni fjalën kyçe....

Delegacioni ukrainas mbërrin në Bjellorusi për raundin e tretë të bisedimeve me Rusinë


Delegacioni i Ukrainës ka mbërritur në Bjellorusi për raundin e tretë të bisedimeve, pasi dy seancat e mëparshme nuk arritën të bënin ndonjë përparim drejt paqes.

Kuptohet se fokusi i bisedimeve në këto negociata do të jenë edhe një herë korridoret humanitare – për të lejuar civilët ukrainas të shpëtojnë nga veprimet ushtarake, ndërsa bombardimet e rënda ruse të qendrave të qyteteve vazhdojnë në jug dhe në lindje të vendit.

Kujtojmë se përpjekjet e mëparshme për të krijuar korridore humanitare të shtunën u rrëzuan kur armëpushimi dështoi.

Siç shkruan BBC, mbrëmjen e së dielës propozimi i ri nga Rusia u cilësua si “i papranueshëm” nga zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, pasi u bë e qartë se njerëzve që ikin nga Kievi do t’u ofrohet kalim i sigurt në aleatin e Rusisë, Bjellorusia, ndërsa ata në Kharkiv do të kenë një korridor që të çon vetëm në Rusi.

Nga katër qytetet e përmendura, vetëm ato më të voglat Mariupol dhe Sumy, kanë rrugë evakuimi që të çojnë në pjesë të tjera të Ukrainës. Një zëdhënës i Presidentit të Ukrainës Zelensky e quajti atë “një histori krejtësisht imorale“. Më shumë se 1.7 milionë ukrainas janë larguar deri më tani nga vendi i shkatërruar nga lufta, ndërsa pushtimi vazhdon në ditën e tij të 12-të.