Vendosni fjalën kyçe....

Elon Musk i kërkon Evropës t’i kthehet urgjentisht energjisë bërthamore


Shefi ekzekutiv i SpaceX dhe Tesla, Elon Musk, i bëri thirrje Evropës të rifillojë stacionet e saj të energjisë bërthamore ‘të fjetura’ dhe të zgjerojë prodhimin e tanishëm të energjisë në mes të konfliktit ushtarak të Rusisë me Ukrainën.

Në një seri postimesh në Twitter, Musk shkroi se ishte tani ‘jashtëzakonisht e qartë që Evropa duhet të rifillojë termocentralet bërthamore të fjetura dhe të rrisë prodhimin e energjisë së atyre ekzistuese’.

“Kjo është kritike për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare,” paralajmëroi ai ndërsa Perëndimi vazhdon të sanksionojë Rusinë për konfliktin në Ukrainë.

Musk gjithashtu argumentoi se energjia bërthamore ishte ‘shumë më e mirë për ngrohjen globale sesa djegia e hidrokarbureve’ dhe hodhi poshtë shqetësimet e rrezatimit.

“Rreziku i rrezatimit është shumë, shumë më i ulët nga sa besojnë shumica e njerëzve.” – tha ai.

Pavarësisht thirrjeve të Musk, ka të ngjarë të duhen vite që Evropa të rifillojë termocentralet e saj bërthamore, të cilat gradualisht janë mbyllur në të gjithë kontinentin në favor të angazhimeve për energjinë e gjelbër.

Gjermania mbylli gjysmën e termocentraleve të saj bërthamore në dhjetor si pjesë e planit të vendit për të hequr gradualisht energjinë bërthamore pas katastrofës bërthamore të Fukushimës në vitin 2011. Në të njëjtin muaj, Belgjika arriti një marrëveshje për mbylljen e termocentraleve të saj bërthamore deri në vitin 2025.

Franca ka mbetur një nga vendet e pakta evropiane që i përmbahet energjisë bërthamore, me presidentin francez Emmanuel Macron që njoftoi ndërtimin e gjashtë reaktorëve të rinj muajin e kaluar.

Të premten, Musk gjithashtu i bëri thirrje Perëndimit që ‘të rrisë menjëherë prodhimin e naftës dhe gazit’, duke argumentuar se ‘kohët e jashtëzakonshme kërkojnë masa të jashtëzakonshme’.