Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në një bisedë telefonike me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, i bëri thirrje BE-së të ndikojë tek autoritetet e Kievit dhe t’i detyrojë ato të respektojnë ligjin humanitar.
Të paktën kështu u raportua nga shërbimi për shtyp i Kremlinit, sipas agjencisë së lajmeve ruse TASS. Putini nënvizoi pozicionin e Rusisë në lidhje me kryerjen e një operacioni të posaçëm ushtarak për të mbrojtur republikat e Donbass dhe u diskutuan në detaje aspektet humanitare të situatës aktuale.
“U vu re se forcat e armatosura ruse kanë shpallur tashmë disa herë një regjim armëpushimi për evakuimin e popullsisë përgjatë korridoreve humanitare. Në të njëjtën kohë, batalionet kombëtare të Ukrainës e parandalojnë këtë duke përdorur dhunën kundër civilëve dhe lloje të ndryshme provokimesh.“– thuhet në raportin e Kremlinit.
Siç theksohet nga Kremlini, presidenti rus “i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të japë një kontribut të vërtetë në shpëtimin e jetëve të njerëzve, të ushtrojë presion mbi autoritetet e Kievit dhe t’i detyrojë ata të respektojnë ligjin humanitar”.
Përveç kësaj, Putin theksoi se ushtria ruse po merr të gjitha masat e mundshme për të shpëtuar jetën e civilëve.
“Kërcënimi kryesor vjen nga formacionet nacionaliste, të cilat në thelb përdorin taktikat e terroristëve, duke u fshehur pas popullatës civile.”– shpjegoi shërbimi për shtyp i liderit rus.
Kremlini shtoi se Putini dha një vlerësim edhe për rrjedhën e negociatave me përfaqësuesit e Kievit, duke konfirmuar kërkesat e njohura ruse.