Vendosni fjalën kyçe....

Numërimi drejt fundit/ Kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” afër marrjes së Shkodrës, PS kryeson bindshëm Durrësin


Kandidatët në Shkodër

Kanë mbetur edhe 21 qendra votimi nga 250 në total për t’u numëruar në Shkodër. Dhe duket se drejt fitores është kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Bardh Spahia.

Sikurse bëhet me dije nga KQZ, deri tani Spahia ka arritur që të marrë 18 700 vota ose 44.13%.

Në vendin e dytë me një diferencë afro 2000 vota vjen kandidatja e PS-së, Majlinda Angoni me 16 672 vota ose 39.34%.

Ndërsa kandidati i PD-së Xhemal Bushati ka arritur të marrë vetëm 7007 ose 16.53% të votave.

Ajo që vihet re krahasuar me zgjedhjet e kaluara, është se PD ka pësuar një rënie me -28.74%, e ndërsa PS një rritje me 15.69%.

Ndërkohë në Durrës mbeten edhe 2 kuti për t’u numëruar dhe Partia Socialiste me kandidate Emirjana Sako, duket se ka siguruar fitoren.

Në Bashkinë Durrës janë numëruar 335 kut  nga 337 qendra votimi gjithsej dhe Sako kryeson bindshëm me 58.46 % të votave gjithsej, ose me 39 090 vota.

Ndërsa kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” Ardian Muka renditet i dyti me 19 844 vota, ose 29.68 % të votave. Në fund vjen kandidati i Partisë Demokratike, Luan Hoti me 7 928 ose rreth 11.86% të votave. 

Krahasuar me zgjedhjet e kaluara, Partia Demokratike ka një rënie me gati 29%.

Kandidatja e Partisë Socialiste, Emiriana Sako, ka reaguar për këto rezultate duke shpallur fitoren me anë të një postimi në rrjetet sociale.

“Falenderoj të gjithë qytetarët e Durrësit për besimin e dhënë për të vazhduar punën për transformimin e qytetit. Kjo fitore është një përgjegjësi e madhe që më jep privilegjin ti shërbej me përkushtim e pasion qytetit dhe të gjithë qytetarëve të Durrësit.”– shkruan Sako.