Vendosni fjalën kyçe....

Numërimi drejt fundit – PS fiton edhe Lushnjën, kryeson thellë në Durrës e Dibër. Shtëpia e Lirisë përpara në Shkodër


Me Vorën e Rrogozhinën ku rezutatet kanë shpallur fitues kandidatët e PS-së, numërimi po zhvillohet ende në katër bashkitë e mëdha.

Me përjashtim të Shkodrës ku Bardh Spahia i Shtëpisë së Lirisë është në avantazh, në tre bashkitë e tjera kandidatët e PS-së janë praktikisht fitues.

Duhet thënë se PD e drejtuar nga Basha ka marrë një rezultat të dobët në këto zgjedhje te pjesshme lokale duke u shkërmoqur nga koalicioni Shtëpia e Lirisë që përbëhet nga Komisioni për Rithemelimin e PD-së, Lsi e PDK.

Në Shkodër gara është mes Shtëpisë së Lirisë e PD-së kur janë numëruar 196 nga 250 kuti. Bardh Spahia i Shtëpisë së Lirisë kryeson me rreth 44.7 për qind të votave (16411) përkundrejt Majlinda Angonit të PS-së që ka deri tani 39.5 për qind të votave (14518). Xhemal Bushati i PD-së ka 15.8 për qind të votave (5812).

Në Lushnjë ka mbetur vetëm një kuti për t’u numëruar. Kandidatja e PS-së Eriselda Sefa është praktikisht fituese duke qenë se ka marrë 58.7 për qind të votave (21309). Elton Bano i Shtëpisë së Lirisë ka 30.8 për qind të votave (11171), ndërsa kandidati i PD-së, Indrit Sefa ka 10.5 për qind të votave (3792).

Në Durrës janë numëruar 288 nga 337 kuti. Emiriana Sako e PS-së ka aktualisht 58.3 për qind të votave (33514), e ndjekur nga Ardian Muka i Shtëpisë së Lirisë me 29.5 për qind (16935), ndërsa Luan Hoti i PD-së ka 12.2 për qind të votave (6991).

Në Dibër janë numëruar 86 nga 101 kuti. Rrahim Spahiu i PS-së ka tani për tani 61.1 për qind të votave (12379), Premtim Kryemadhi i Shtëpisë së Lirisë 20.3 për qind (4111), kurse Luan Haka i PD-së 18.1 për qind (3672). Ndryshe nga 5 bashkitë e tjera, në Dibër ka pasur katër kandidatë duke qenë se ka marrë pjesë edhe partia Lëvizja e Re me Dritan Torbën. Ky i fundit ka deri tani 0.5 për qind të votave (95).