Rusia kërkon nga Ukraina që të ndërpresë aktivitetet e saj ushtarake, të regjistrojë me kushtetutë statusin e saj neutral, të njohë Krimenë si pjesë të Rusisë, si dhe pavarësinë e Republikave Popullore të Donetskut dhe Luganskut.
Kështu ka deklaruar sot sekretari për shtypin i presidentit rus Dmitry Peskov në një intervistë për Reuters. Ai ka deklaruar se nëse këto kushte plotësohen, operacioni ushtarak i Federatës Ruse mund të ndalet në çdo kohë.
“Ata duhet të ndryshojnë kushtetutën e tyre në mënyrë që Ukraina të refuzojë çdo qëllim për t’u bashkuar me ndonjë bllok. Ne folëm gjithashtu për faktin që ata duhet të pranojnë se Krimea është territor rus dhe se ata duhet të njohin Donetskun dhe Luhanskun si shtete të pavarura. Dhe kjo është e gjitha. Mund të ndalet në çdo moment.”- tha Peskov.
“Atyre (palës ukrainase) iu thamë se kjo mund të ndalohej në çdo moment.”– shtoi sekretari i shtypit i presidentit rus.
Sipas Reuters, Peskov tha se Rusia nuk ka ndërmend të parashtrojë ndonjë kërkesë të re territoriale ndaj Kievit.
“Ne në fakt jemi duke përfunduar çmilitarizimin e Ukrainës. Ne do ta përfundojmë atë. Por gjëja më e rëndësishme është që Ukraina të përfundojë veprimet e saj ushtarake. Ata duhet të përfundojnë veprimet e tyre ushtarake dhe më pas askush nuk do të qëllojë.“- shtoi zëdhënësi i liderit rus.