Vendosni fjalën kyçe....

“S’kam humbur asnjë garë në jetën time”- Basha konfirmon se s’ka ndërmend të tërhiqet: Kush më kërkon të braktis detyrën do të zhgënjehet


Në daljen e sotme për mediet, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u pyet nga gazetarët nëse është i gatshëm të tërhiqet për një reformim të PD-së dhe se ku ai e shikon mbështetjen e demokratëve pas humbjes së dukshme në zgjedhjet lokale, të paktën sipas rezultateve paraprake të deritanishme.

Por Basha këmbëngul se gjatë gjithë jetës së tij nuk ka humbur asnjë garë. Ai thotë se është përballur me masakra elektorale. Gjatë fjalës së tij, Basha konfirmoi se kushdo që pret që ai të tërhiqet nga detyrat e tij, do të zhgënjehet.

“Propagandës unë dua t’i them se unë nuk kam humbur asnjë garë në jetën time. Po jam përballur me masakra zgjedhore. Por s’kam humbur asnjë garë në jetën time. Por për këtë do kemi kohë të flasim. Sot nuk po flasim për mua. Unë e kuptoj shqetësimin personal të atyre që gjithçka në Shqipëri e bëjnë për interesat e tyre personale. Trekëndëshi i Bermudës gjithçka e ka për interesa personale dhe do ta kthejë edhe këtë në interesin e vet personal dhe luftë personale. Lufta ime nuk është për fatin tim personal. Është për fatin e shqiptarëve dhe fatin e Shqipërisë.

Dhe kushdo që më kërkon të braktis në veçanti në këtë betejë detyrën time, në dy plane që t’i ofrojmë shqiptarëve rikthimin e besimit tek demokracioa dhe vota e lirë përmes një reforme të thellë të sistemit zgjedhor dhe të zgjedhjeve dhe për përshpejtimin e reformimit të PD-së për t’u bërë partia e hapësirës së mendimit të lirë, partia e qytetarisë dhe shpresës së qytetarëve do të zhgënjehet. Faleminderit.”– deklaroi Basha.

Kryedemokrati tha se fakti që qytetarët e braktisën procesin zgjedhor masivisht është tregues se ata e kanë humbur besimin te demokracia.

Basha shtoi më tej se PD ka kallëzuar në SPAK zgjedhjet në 3 bashki ndërkohë që po përgatit një padi për KZAZ-në e Vorës. Po kështu kryedemokrati theksoi se PD do reformohet thellë.

“Qytetarët e braktisën procesin sepse nuk kishte garanci shtesë, në disa raste madje ato edhe u hoqën formalisht. Ne kemi dorëzuar në SPAK tre denoncime në Shkodër, Dibër ndërsa po përgatisim padinë edhe për KZAZ-në e Vorës. Republika shqiptare ka arritur në një pikë të papranueshme për sa i përket zgjedhjeve. Qytetarët e braktisën procesin dhe kjo na prek edhe ne si PD. Na takon edhe ne të bëjmë një reflektim të thellë. Për t’u shkëputur edhe më shumë nga e kaluara. Opozita është një instrument në duart e njerëzve. Nuk është koha për t’i ikur përgjegjësive po as sikur të bëjmë sikur jetojmë në planet tjetër. PD është vendosur në një sulm të shumëfishtë. Ne do e përshpejtojmë reformën me hapat që kemi nisur në Kuvendin e 18 dhjetorit.” – tha Basha.

Kryedemokrati pohoi se PD do i nënshtrohet një analize të thellë dhe se denigrimi i saj nga ish-kryeministri Berisha e aleatët e tij ka ndikuar në rezultatin zgjedhor.

Kjo deklaratë e Bashës vjen pas publikimit të rezultateve paraprake në medie, sipas të cilave Vora dhe Rrogozhina janë fituar nga kandidatët e PS-së. Numërimi po zhvillohet ende në katër bashkitë e mëdha, megjithatë deri tani në Shkodër kryeson kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” ndërsa në tre bashkitë e tjera kryeson PS./Hashtag.al