Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku në Komisionin Hetimor: Janë transferuar 25 milionë euro si transfertë kapitali me jashtë


Në mbledhjen e sotme të Komisionit Hetimor të Inceneratorëve kryetarja Jorida Tabaku deklaroi se kompanitë e inceneratorëve kanë operuar edhe përmes transfertave të kapitalit jashtë vendit.

“Një tjetër metodë se si kompanitë kanë përdorur për transferimin e kapitaleve është ajo transferimit te tyre jashtë vendit.

Ky proces nënkupton që një kompani të marrë shërbime nga kompani të saja ‘guackë’ e të regjistruara në vendet të njohura si parajsa fiskale. Kjo është zakonisht një mënyrë se si kompanitë që kanë bija në një vend përdorin për të kryer transferime të kapitalit apo parave në kompanitë mëma jashtë vendit. Informacionet në lidhje me këto lëvizje janë shumë të qartë për tu gjetur nga përpunimi i të dhënave të marra nga Drejtoria. Përgjithshme e Tatimeve.

Në total, prej analizës së kryer, kompanitë koncesionare kanë deklaruar të paktën 94 fatura të tilla sherbimesh në Librat e tyre  me një vlerë totale prej 24.48 milionë euro, apo mesatarisht 260 mijë euro për një faturë.“- tha Tabaku.

Më tej kryetarja e Komisionit tha se vendimi i presupozuar nga qeveria për gjendjen e emergjencës është nul pasi nuk ka asnjë vendim për shpalljen e emergjencës. Ajo deklaroi se kryeministri Edi Rama ka gënjyer për shpalljen e emergjencës dhe se 430 milionë euro janë dhënë me supozimin që është shpallur një emergjencë.

Pjesë nga deklarata e Tabakut:

 E gjithë kjo skemë më pas shtyu serinë e veprimeve të institucioneve lokale dhe qendrore për të ndërtuar një skemë korruptive.

Ajo që konsiderohet si “aferë masive financiare” është realizuar me mbështetjen e zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe drejtues lokalë, të cilët renditen sipas rendit kronologjik telegrafikisht më poshtë (në vijim të Raportit janë të detajuara shkeljet e konstatuara).

  • Qazim Sejdini, kryetar i Bashkisë së Elbasanit në kohën e procedurave për koncensionin e landfillit+inceneratorit të Elbasanit.
  1. Sejdini ka ndërmarrë hapat administrativë për shpalljen e “gjendjes së emergjencës mjedisore” në Elbasan, mbështetur në vendimin e Komitetit Ndërministror të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve për “Shpalljen e fillimit të emergjencës mjedisore në Territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Komiteti Ndërministror i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve është organ këshillimor dhe nuk ka fuqi vendimmarrëse, referuar ligjit “Për menaxhimin e mbetjeve urbane”. Për këtë arsye, procedura administrative e nisur nga kryetari i Bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini, për “shpalljen e emergjencës mjedisore në Elbasan” është në kundërshtim me ligjin, të cilat u vijuan me pasoja të rënda financiare për Buxhetin e Shtetit.

  • Lefter Koka, ministër i Mjedisit në periudhën 2013-2017, në kohën që janë nënshkruar kontratat koncensionare për landfill+incenerator në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Dokumentat e siguruara nga Komisioni Hetimor Parlamentar dhe deklarimet e dëshmitarëve e cilësojnë si “personazhin kyç” në zhvillimin e procedurave në kundërshtim me ligjin, për procedurat për dhënien me koncension të impianteve të përpunimit të mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

  • Arben Ahmetaj, Ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe më tej Ministër i Financave gjatë kohës që janë zhvilluar procedurat për dhënien me koncension të ndërtimit të impianteve të përpunimit të mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë.
  1. Ahmetaj ka mbështetur zyrtarisht procedurën e paligjshme për kontratën koncensionare të Elbasanit, si edhe ka lejuar shpenzime mbi tavanin buxhetor për pagesat ndaj kompanive koncensionare, në kundërshtim me kuadrin ligjor.
  2. Ahmetaj rezulton lidhje miqësore me shtetasin Mirel Mërtiri, i cili shfaqet si lidhje e fortë me të gjithë personazhet e prezantuar si pronarë e administratorë të kompanive koncensionare.
  • Damian Gjiknuri, Ministër i Infrastrukturës në kohën e dhënies së koncensioneve për ndërtimin e impianteve të përpunimit të mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë.
  1. Gjiknuri ka mbështetur procedurat e paligjshme për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, si edhe ka dështuar në mbikëqyrjen e situacioneve të punimeve të kryera nga kompanitë koncensionare, për të cilat janë lëshuar faturat financiare të paguara nga Buxheti i Shtetit.
  • Engjëll Agaçi, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.
  1. Agaçi ka një rol thelbësor në shkeljet e procedurave ligjore në rastin e miratimit të kontratës koncensionare për ndërtimin e landfill+incenerator në Elbasan. Ai është përgjegjës për tolerimin dhe futjen e një projektvendimi për financimin e një kontrate e cila ishte firmosur pas një procedure të pabazuar në ligj dhe për të cilën ai ishte në dijeni.
  • Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
  1. Rama, në cilësinë e Kreut të Qeverisë, është përgjegjës i drejtëpërdrejtë për shkeljen e procedurave nga ana e vartësve të tij, ministra, në procedurat për dhënien me koncension të landfill+incenerator në Elbasan, Fier dhe Tiranë.
  • Armando Subashi, Kryetar i Bashkisë së Fierit.
  1. Subashi ka përgjegjësi për ndryshimin e vendit të ndërtimit të landfill+incenerator në Fier, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm ekonomik Buxhetit të Shtetit.
  • Alqi Bllako, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit në kohën e procedurave për dhënien me koncension të ndërtimit të impianteve në Fier dhe Tiranë.
  1. Bllako është përgjegjës për ndjekjen e procedurave në kundërshtim me ligjin, si edhe për lejimin e “aferës masive financiare” që lidhet me landfill+incenerator në Fier dhe Elbasan.
  • Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës.
  1. Veliaj shmangu Këshillin Bashkiak dhe dha miratimin për dhënien me koncension për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve në Sharrë, Tiranë, në tejkalim flagrante të kompetencave të tij.
  2. Veliaj vijon të paguajë tarifën 40.61 euro/ton për shërbimin depozitim+incenerim të mbetjeve urbane të Tiranës, ndërkohë që procesi i incenerimit nuk kryhet për mungesë të impiantit, duke i shkaktuar në këtë mënyrë një dëm kolosal Buxhetit të Shtetit.
  3. Veliaj ka siguruar një monopol kompanisë koncesionare përmes një tarife të pamiratuar nga Këshilli Bashkiak në kundërshtim të plotë me Ligjin për Pushettin Vendor dhe gjithashtu Ligjin për Manaxhimin e Financave Vendore.
  • Emirjana Sako, kryetare e Bashkisë Durrës.

Znj. Sako përmes akteve të saj ka kryer një procedurë të dyshimtë të dhënies me Tender Publik të formës “Negociim pa shpallje” me vlerë fillestare të shpallur pre 2 mln eurosh dhe më pas të shndërruar në një tender publik me vlerë 10 mln euro. Ky tender publik u publikua në formatin e negocimit pa shpallje duke favorizuar kompaninë e Inceneratorit Tiranë në një prokurim publik në kundërshtim me ligjin e prokurimeve publike.

Lista e zyrtarëve shtetërorë që vlerëson përgjegjës për “aferën masive financiare” vijon me persona që kanë pasur poste dytësore apo pjesëmarrës në komisionet e procedurave koncensionare për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë.