Një 43-vjeçar i ka shpëtuar atentatit në Lezhë. Bëhet fjalë për Aleksandës Dedën, i cili i ka shpëtuar atentatit për herë të dytë duke qenë se ndaj tij është qëlluar edhe në dhjetorin e vitit 2020 kur mbeti i plagosur.
Vetë shënjestra e atentatit ka denoncuar në polici se është qëlluar me armë zjarri teksa ndodhej në afërsi të një lokali në dalje të Lezhës.
Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes policia nuk ka gjetur gëzhoja ndërkohë ka rrethuar zonën e ka ngritur pika të shumta kontrolli për të mundësuar zbardhjen e ngjarjes.
Atentati i 1 dhjetorit 2020
43-vjeçari është qëlluar me breshëri automatiku në 1 dhjetor 2020, ku u plagos me tre plumba në trup. Nga hetimet e kryera asokohe ka rezultuar se shkak i këtij atentati rezulton të jetë bërë një konflikt mes të plagosurit, Aleksandër Deda dhe një ish-deputeti të PS në zonë.
Vetë Aleksandër Deda, nuk ka pranuar të bashkëpunojë me policinë duke mos treguar shumë detaje rreth asaj që ka ndodhur në datën 1 dhjetor dhe para kësaj date.
Pas atentatit policia ka gjetur një mjet të djegur brenda të cilit u sekuestrua një automatik i shkatërruar ‘Kallashnikov’ si dhe një sasi gëzhojash.
Aleksandër Deda, rezulton i dënuar në Itali dhe ka pasuri të konsiderueshme në Lezhë e Shëngjin. Pjesën më të madhe të pasurisë Aleksandër Deda, e ka në emër të vëllait të tij, Bledar Deda.
Ky i fundit dhe vetë Aleksandër Deda, janë hetuar për pastrim parash, ku prokuroria mundi t’i sekuestrojë një sipërfaqe të konsiderueshme toke prej 1146.6 m2 në qendër të Lezhës, mbi të cilën është realizuar një ndërtim shumë i kontestueshëm dhe që për dhënien e lejes së këtij objekti në Lezhë, ish-kryebashkiaku Viktor Tusha është hetuar nga prokuroria e qytetit.