Vendosni fjalën kyçe....

Kryebashkiaku i Mariupolit: Një vogëlushe 6-vjeçare humbi jetën nga dehidratimi pas sulmit rus


Kryetari i bashkisë së qytetit të rrethuar të Mariupolit, Vadym Boychenko, ka deklaruar se një vajzë 6-vjeçare e quajtur Tanya u nxor e pajetë nga rrënojat e një ndërtese të shkatërruar nga sulmet ruse.

Ai thotë se vogëlushja kishte vdekur nga dehidratimi.

“Nëna e saj u vra. Nuk e dimë se për sa kohë vajza po luftonte për jetën. Nuk mund ta imagjinojmë se sa vuajtje i është dashur të përballojë. Në minutat e fundit të jetës së saj ajo ishte e vetme, e dobët, e frikësuar, e etur.”-ka deklaruar Boychenko, citon BBC.

Kryebashkiaku thotë se historia e vajzës, e përmendur edhe më herët sot nga Presidenti Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij, ishte “një nga shumë histori tragjike të Mariupolit, qyteti që mbijetoi në një bllokadë për tetë ditët e fundit”.

Boychenko tha: “Pushtuesit rusë në mënyrë cinike e kanë lënë qytetin prej gjysmë milioni njerëzish pa ujë, drita, ngrohje dhe komunikim. Të gjitha rrugët për në qytet janë të bllokuara. Të gjitha përpjekjet për të ofruar ushqim dhe ilaçe për banorët e qytetit u bllokuan nga ushtria ruse.”

Ai i bëri thirrje Perëndimit të bëjë më shumë përpjekje për të ndihmuar Ukrainën, duke përfshirë këtu vendosjen e një zone ndalim-fluturimi.

Boychenko shtoi: “Nuk do ta kthejë Tanya-n tonë, por do të shpëtojë jetën e mijëra fëmijëve të tjerë në Ukrainë”.