Ish-deputetja e PD-së Rudina Hajdari ka reaguar lidhur më situatën në Partinë Demokratike, pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 6 Marsit ku u rendit si forcë e tretë.
Hajdari thotë se partinë e shkatërruan të dy, edhe kryedemokrati Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha, andaj sipas saj ata duhet të largohen.
“Ndaj dua sot t’i bëj thirrje si Bashës dhe Berishës që t’i japin fund absurdit dhe shkatërrimit të PD, të bëjnë të dy pas dhe t’i hapin rrugës një gare e cila do të mundësojë ardhjen në PD të një lidershipi të ri, me vizion, me pasion, me energji dhe pa ngarkesa nga e kaluara.”- shkruan Hajdari.
Po ashtu ajo i bën thirrje deputetëve demokratë të ngrihen sa më shpejt të jetë e mundur, pasa se të jetë tepër vonë.
Postimi i plotë i Hajdarit:
Nuk kam fjalë për ta përshkruar ndjesinë e tmerrshme që pata dje kur pashë se Partia e themeluar nga im atë dhe qindra studentë guximtarë, të cilët luftuan me rregjimin komunist për të instaluar demokracinë në Shqipëri, u katandis nga forca që solli lirinë dhe demokracinë në një parti të vogël e pa mbështetje elektorale.
Si ish deputete e PD kjo më dhemb, e si bija e Azem Hajdarit kjo më tmerron.
PD nuk është prona as e Lulzim Bashës e as e Sali Berishës, të cilën ata mund ta shpenzojnë, shpërdorojnë, shkatërrojnë sipas interesit të tyre personal.
PD është themeli i demokracisë shqiptare.
Themel i larë me gjakun e njerëzve që dhanë jetën për të e me djersën e ballit të qindra mijëra qytetarëve të cilët besuan dhe luftuan për një Shqipëri ku jetohet me dinjitet e në liri.
Ndaj dua sot ti bëj thirrje si Bashës dhe Berishës që ti japin fund absurdit dhe shkatërrimit të PD, të bëjnë të dy pas dhe ti hapin rrugës një gare e cila do të mundësojë ardhjen në PD të një lidershipi të ri, me vizion, me pasion, me energji dhe pa ngarkesa nga e kaluara.
I bëj thirrje gjithë demokratëve që të mos heshtin më, të mos përulen më para atyre që po shkatërrojnë Partinë Demokratike por të bashkohen për të kërkuar një drejtim të ri.
PD ka qenë partia që i ka bërë shqiptarët të ëndërrojnë për Europën, për një të ardhme të ndritur e plot begati.
PD ka mundësi sërish ta kryejë këtë mision, por kjo nuk arrihet as me Bashën e as me Berishën.
Nëse ata vazhdojnë betejën e tyre për plaçkë e interesa të vogla, nga PD do mbetet veç disa faqe në historinë e Shqipërisë. Ata nuk frymëzojnë më askënd, rezultatet e djeshme e tregojnë qartë këtë.
Çdo demokrat, çdo militant, çdo zyrtar, çdo deputet i PD që nuk ka hyrë aty për plaçkë por për ideal e pasion duhet sot të ngrejë krye e të shpëtojë PD nga shkatërrimi e zhdukja.
SOT! Nesër do të jetë vonë!